Telegrafi

Panairi i Librit në Prizren rishfaq fuqinë e mendimit brenda krijimeve letrare

Edicioni i XVI-të i Panairit të Librit në Prizren është hapur të mërkurën mbrëma në qendër të qytetit me botimet e shumta nga Kosova dhe vendet e rajonit, por edhe me prezantimin e krijimtarisë letrare të dy shkrimtarëve, Adil Ollurit nga Prishtina dhe Roland Spahiut nga Prizreni.

Përgjegjësi i Programit Letrar të Panairit të Librit në Prizren, Ditar Kabashi në hapje të këtij edicioni ka ritheksuar ftesën e hapur për të gjithë qytetarët që të vizitojnë Panairin si dhe me praninë e tyre ti nderojnë autorët mysafirë gjatë mbrëmjeve letrare.

“Panairi i Librit u sjellë prizrenasve dhe vizitorëve të qytetit tonë shtëpi botuese jo vetëm nga Kosova por edhe nga vendet e rajonit. Panairi i Librit u sjellë prizrenasve dhe vizitorëve të qytetit literaturë nga lëmenj të ndryshëm të shkrimit. Panairi i Librit u sjellë prizrenasve dhe vizitorëve të qytetit autorë të spikatur veprash letrare e studimore nga Kosova dhe vendet e rajonit. Të gjitha këto Panairi i Librit i sjellë në qendër të Prizrenit, këtu ku qytetarët gravitojnë rëndom. Pra Panairi organizohet vetëm në interes të publikut”, ka thënë Kabashi.

Drejtori i Kulturës në Komunën e Prizrenit, Adem Morina ka theksuar se ky organizim e begaton jetën kulturore në Prizren dhe se për këtë arsye do të gëzoj përkrahjen e këtij dikasteri, raporton Telegrafi.

Në pjesën e parë të mbrëmjes është prezantuar krijimtaria letrare e shkrimtarit Adil Olluri, i cili para të pranishmëve në mes tjerash ka theksuar se veprat e tij përqendrohen në pjesën mendimtare, dhe shtrimin e pyetjeve meqë edhe kjo është fuqia e autorëve.

“Natyra ime është si ta bëj më konceptuale, më mendimtare sesa të jetë vetëm rrëfyese. Rrëfimi patjetër është pjesë e padiskutueshme e një realizimi artistik, artit të shkrimit të bukur, por në vetvete pa pjesën mendimtare, pa pjesën stilistike nuk mjafton. Do të ishte vetëm një skelet i veprës”, ka thënë Olluri.

Ndërsa pjesa e dytë e mbrëmjes letrare i është kushtuar promovimit të romanit “Një skenë filmi” të autorit Roland Spahiu.

Publicisti dhe gazetari, Fahri Musliu ka vlerësuar se ky roman karakterizohet nga mendimet e thella dhe filozofike të autorit, që shpijnë drejt shtrimit të pyetjes se “ku jemi dhe çka po ndodh me ne?”.

“Është një roman fantastik më përmbajtje socio-politike, socio-psikologjike, ekonomike, kulturore, edukative, që shtjellon me mjeshtëri të rrallë dhe me forma të ndryshme filozofike, sarkastike, alegorike, ironike e kritike realitetin shoqëror ekonomik, politik dhe të gjithëmbarshëm në Kosovë. Pra, nga një djalë i ri, me mendje të mprehtë dhe me perspektivë të ndritshme që në të ardhmen do të jetë edhe një mburrje për qytetin e Prizrenit”, ka thënë Musliu.

Ish prokurorja speciale, Drita Hajdari ka theksuar se romani i Spahiut duhet të lexohet në mënyrë analitike.

“Unë e përjetova këtë libër sikur diçka që na duhet të gjithëve që të ballafaqohemi me realitetin tonë. Ka pak pesimizëm te personazhi, mirëpo ndoshta ky është realiteti ynë”, është shprehur ajo.

Ndërsa profesori Muhamet Mustafa ka pohuar se autori Spahiu sikurse edhe në veprat e mëparshme të tij tenton që ti kundërvihet të keqes me promovimin e të mirës, raporton Telegrafi.

“Krijimi i tij shquhet nëpërmjet të menduarit kritik, d.m.th. ka një mendim kritik shumë depërtues, e që e ka një ide udhëheqëse, e ajo është të shërbej për tejkalimin e tymnajës së moskuptimit për arritjen e së mirës. Autori pranon ekzistimin e të keqes, dhe provon, angazhohet për t’iu kundërvënë të keqes me fuqinë e mendimit kritik që e promovon të mirën dhe energjinë pozitive”, ka thënë Mustafa.

Autori i romanit “Një skenë filmi”, Roland Spahiu pasi ka ofruar shpjegime lidhur me veprën e tij, ka apeluar që individët brenda shoqërisë ta ruajnë njerëzoren dhe të mos largohen nga libri.

“Porosia ime për të gjithë është që të mos nxitojnë aq shumë, sepse duke nxituar po e humbin jetën. Duke nxituar në fakt po ngadalësohen dhe po i humbin gjërat njerëzore. Mos nxitoni, qëndroni sa më afër tokës, mjedisit, individit, mendimit, shokut-shoqes së sinqertë pra librit, në mënyrë që të bashkëbisedojmë dhe jeta jonë të jetë më interesante, me më shumë ngjyra”, është shprehur ai.

Në kuadër të Panairit të Librit në Prizren, sipas organizatorëve, për pesë net rresht do të ketë promovime e diskutime me shkrimtarë e studiues nga Kosova dhe vendet e rajonit. /Telegrafi/