Site icon Telegrafi

Panairi i Librit në Gjilan, mërgimtarët të interesuar për libra historikë

Festa e librit “Book fest” është rikthyer në Gjilan, për të ofruar tinguj, aktivitete dhe oferta të pafundme të librit.

Anila Daku, shitëse në Panair të Librit, tha se panairi ofron libra të llojeve të ndryshme, mirëpo sipas saj mërgimtarët deri tash kanë blerë libra historik.

“Prej librave të cilat janë shitur më shumë deri tash janë historik të blerë më shumë nga mërgimtarët. Ndërsa libra të tjerë janë nga psikologjia, romane dhe libra për fëmijë”, ka thënë ajo për Telegrafin.

Nga librat historik, të cilët mërgimtarët kanë shprehur interes për t’i lexuar janë “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, “Kosova”, “Arbreshët shqiptarë të Italisë”, “Pellazgët”, “Luftërat e Ballkanit” “Kryeqyteti i fundit”, “Historia e Skënderbeut”.

 

Ndërsa, nga librat psikologjik që janë shitur deri më tani, janë “48 ligjet e pushtetit”, “7 zakonet e njerëzve të suksesshëm”, “Arti për të fituar miq dhe pushtet”, “Arti i brisht – not givin fuck”, “N’kohë për vetën”, “Meditimet”.

Përveç atyre historik dhe psikologjik, libra që janë shitur më shumë janë edhe romanet e ndryshme nga autorët shqiptarë dhe të huaj, dhe poashtu edhe libra për fëmijë.

Nga autorët shqiptarë, librat të cilat janë blerë më shumë nga lexuesit janë nga Ismail Kadare dhe Daut Demaku, derisa nga autor të huaj janë të Collen Hoover, Danielle Steel dhe Tahereh Mafi.

Ndryshe, panairi i librit ka filluar qysh nga data 2 gusht dhe do te vazhdojë të mbahet deri më 11 gusht. Ky panair është i organizuar nga libraria “Dukagjini” dhe po zhvillohet në Albi Mall në Gjilan.

Arsyeja pse po mbahet në Albi Mall është se po frekuentohet më shumë nga njerëzit, sidomos nga mërgimtarët.

Në këtë panair lexuesit kanë shprehur interes të madh për të blerë libra dhe vlen të theksohet se do të mbahet dhe në janar të vitit 2025. /Telegrafi/

Exit mobile version