Telegrafi

Pamje dramatike të shembjes së urës në Indi, rreth 200 metra e strukturës u shembën në lumë – e njëjta gjë ndodhi një vit më

Një pjesë prej 200 metrash e një ure të papërfunduar në shtetin indian të Biharit u shemb në ujë, por nuk pati të lënduar apo të vdekur, sipas Times of India.

Kjo është shembja e dytë e kësaj ure më shumë se një vit, pasi një pjesë e urës u shemb më parë në prill të vitit 2022, transmeton Telegrafi.

Në atë kohë, si shkak i shembjes u citua një kabllo e dobësuar, ndërsa disa ekspertë fajësuan përdorimin e materialeve ndërtimore të cilësisë së ulët për aksidentin.

Ndërtimi i urës 3.1 kilometra të gjatë filloi në vitin 2014 dhe pritej të përfundonte në vitin 2019. Që atëherë, ky afat është shtyrë katër herë. Kostot e ndërtimit vlerësohen në 17.1 miliardë rupi (207 milionë dollarë).

Menjëherë pasi pamjet e urës së shembur u shfaqën në mediat sociale, zyrtarët shtetërorë mbajtën një konferencë shtypi duke thënë se shembja ishte pjesë e një prishjeje të qëllimshme të urës, pasi ekspertët vunë re të meta strukturore në dizajnin e saj.

“Kujtojmë se një pjesë e kësaj ure u shemb më 30 prill të vitit të kaluar. Pas kësaj, ne iu drejtuam Institutit të Teknologjisë Rurki me një kërkesë për të kryer studimin”, tha Tejashwi Yadav, zyrtar në Bihar.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i departamentit të ndërtimit të rrugëve, Prataj Amrit tha se prishja ishte një “masë paraprake”.

“U vendos që të mos rrezikojmë dhe të presim raportin përfundimtar. Për këtë kemi vazhduar me çmontimin e pjesëve të urës. Ishte pjesë e një mase të tillë parandaluese”, tha ai. /Telegrafi/