Site icon Telegrafi

PAKËZ NË ËNDËRR PAKËZ NË ZHGËNDËRR

Poezi nga: Din Mehmeti

Jam pakëz i ndrydhur pakëz i çliruar
Duke vrapuar pas emrit
Pakëz i zverdhur pakëz i frikësuar

Jam pakëz i ngrirë pakëz i shkrirë
Duke kënduar për ty
pakëz i rrahur pakëz i ndjekur jam.

Jam pakëz i përbuzur nga Dielli
Kënga jote më ka ndezur
E më ka stërpikur me lot
Pakëz i vrarë edhe nga ylli jam.

Jam në ëndërr pakëz zhgjëndërr
Pakëz fëmije kur fluturojnë zogjtë

Jam pakëz endacak-shtegtimin e kam në gjak
Duke ecur me ty kalistrok
Pakëz i çuditshëm kur qëlloj retë.

Jam pakëz i dyshimtë pakëz kokëfortë
Kur shqelmoj zotrat që s’dinë të ngopen kurrë

Pakëz diçka nëpër zjarr diçka nëpër ujë
Diçka që hyn në të ardhmen
Për të ikur nga vdekja jam…

Exit mobile version