Site icon Telegrafi

I pakënaqur me deklaratën e Escobar, Gjilas: Vuçiq i ka vjedhur zgjedhjet, askush nuk mund t’ia japë edhe një mandat të ri

Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (PSS) në Serbi, Dragan Gjilas, ka reaguar ndaj deklaratës së emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me sugjerimin e tij që pushteti në Serbi, deri në zgjedhjet e ardhshme, të zbatojë rekomandimet e ODIHR-it.

Gjilas ka thënë se Aleksandar Vuçiq i ka vjedhur zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar, ndër të tjera, sepse nuk i zbatoi rekomandimet e ODIHR-it të dy viteve më parë.

“Askush nuk ka të drejtë t’i japë një mandat të ri prej katër vjetësh tani. Serbia nuk mund të vazhdojë në rrugën e integrimeve evropiane, sepse ka kohë që është ndalur me integrimin evropian”, ka thënë Gjilas në një postim në platformën “X”, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se “qeveria e re nuk mund të forcoj institucionet demokratike sepse Serbia nuk ka më institucione.  Ato u shkatërruan nga një grup i organizuar kriminal që sundoi Serbinë për 12 vjet”.

“Dhe ju i dini të gjitha këto shumë mirë, por është e parëndësishme për ju, sepse Aleksandar Vuçiq përmbush atë që është e rëndësishme për ju. Është e drejta juaj të kujdeseni për interesin tuaj, por të paktën na kurseni deklaratat me të cilat fyen inteligjencën tonë”, ka thënë Gjilas.

Ndryshe, emisari amerikan për Ballkanin, Escobar, në një intervistë për Zërin e Amerikës, të premtën, në konstatimin se Parlamenti Evropian ka miratuar së fundmi rezolutën që kërkon një hetim ndërkombëtar të pavarur të parregullsive në zgjedhjet serbe, të cilat, meqë ra fjala, janë dokumentuar edhe nga ODIHR dhe vëzhguesit vendas dhe nëse qëndrojnë Shtetet e Bashkuara me aleatët e tyre evropianë për këtë çështje duke kërkuar hetim të pavarur, ka deklaruar se  “se raporti i ODIHR, të cilin tashmë e kemi thënë se qëndrojmë pas dhe e mbështesim, bën disa rekomandime shumë të qarta dhe ka theksuar disa mangësi shumë të qarta në procesin zgjedhor në Serbi”.

“Pra, qëndrimi ynë është që ato duhet të rregullohen dhe ato duhet të rregullohen para zgjedhjeve të ardhshme, qofshin ato kombëtare apo komunale”, ka deklaruar Escobar.

Edhe analistë e politikanë të tjerë opozitarë në Serbi, duke komentuar deklaratën e Escobar, thonë se SHBA-ja ka përligjur zgjedhjet e manipuluara nga Vuçiqi. /Telegrafi/

Exit mobile version