Site icon Telegrafi

Pakënaqësi për mos përfshirjen e gjuhës turke në Qendrat e Votimit në Prizren

Eksponentët politikë të komunitetit turk kanë shprehur pakënaqësinë lidhur me mos përfshirjen e gjuhës turke në materialet informuese në Qendrat e Votimit në Prizren.

Fidan Brina Jilta nga Prizreni ka theksuar se përsëri ka shkelje të legjislacionit për përdorimin e gjuhëve duke qenë se sipas saj gjuha turke është gjuhë zyrtare në Prizren.

“A e ka neglizhuar këtë KQZ? Apo si e ka lejuar? Si gjithmonë, do të vazhdojmë ti mbrojmë të drejtat tona, sepse kjo është e drejta jonë Kushtetuese”, ka reaguar ajo në rrjetet sociale, raporton Telegrafi.

Ngjashëm ka reaguar edhe Enis Kervan nga Prizreni.

“Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve a ishin në gjumë? Si mund ta harrojnë që gjuha turke është gjuhë zyrtare në Prizren? Si nuk zgjohen dhe nuk ndërhyjnë ata që “flenë” në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve?”, ka reaguar ai në rrjetet sociale, raporton Telegrafi.

Sipas dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjuha shqipe dhe gjuha serbe janë gjuhë zyrtare në Kosovë dhe kanë status të barabartë në institucionet e Kosovës. Dispozitat e të njëjtit ligj përkufizojnë se gjuha turke ka statusin e gjuhës zyrtare nё Komunën e Prizrenit. /Telegrafi/

Exit mobile version