Është pritur që pas Konferencës së Donatorëve të ngrihen dy dilema. E para, a mjaftojnë 1,2 miliard euro për të tejkaluar këtë fazë të zhvillimit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës? E dyta, si do të shpenzohen paratë?
Si duket, dilemat e këtilla nuk i kanë pasur qeveritarët, të cilët të premten ishin në Bruksel. Ata u ndanë shumë të kënaqur nga kjo konferencë, ndonëse aty donatorët dhanë më pak para se sa në konferencën e parë të mbajtur më 1999. Mirëpo, deklaratat e tyre optimiste janë mashtruese. Ata në të njëjtën mënyrë do të reagonin edhe sikur donatorët të ofronin dhjetë herë më shumë para, apo dhjetë herë më pak. Për ta, më me rëndësi ishte fakti se donatorët e trajtuan Kosovën si vend që duhet të ndihmohet, se sa shuma e parave. Por, ata që në Prishtinë është dashur ta kenë të qartë se pa marrë parasysh përgjigjet e donatorëve, SHBA-ja dhe BE-ja nuk do t’ia kthenin shpinën shtetit më të ri në botë. Do të thotë se Kosova ka pasur pretime për ndihmë edhe para Konferencës së Donatorëve.
Me këtë kënaqësi qeveritarë u kthyen në Prishtinë, por nuk hoqën dilemat. Madje, as që treguan saktësisht se çka do të financohet nga donatorët, kur dihet si atyre iu dorëzuan shumë projekte.
Mirëpo, pavarësisht prej shumës, kosovarët duhet të jenë të kënaqur, edhe pse Kosova ka përfituar më pak se shumë vende të tjera në botë. Aq sa japin donatorët, duhet thënë faleminderit, madje edhe nëse shumat janë simbolike. Këto janë mjete pa kthim, të cilat duhet të krijojnë ambient më të qëndrueshëm dhe më të shëndoshë për zhvillim ekonomik e social. Përndryshe, Kosovës gjithmonë i duhen para, posaçërisht nëse ato nuk ngarkojnë ekonominë, përkatësisht buxhetin e Kosovës. Pikërisht për këtë arsye është e paqëndrueshme dilema se a është e madhe apo e vogël shuma e parave që dhanë donatorët. Është e mjaftueshme dhe e pranueshme secila shumë, posaçërisht kjo që është për 200 milionë euro më e vogël se që ishin kërkesat e Qeverisë së Kosovës.
Problemi nis tani. Ku do të shpenzohen paratë, si do të bëhet menaxhimi i tyre dhe çfarë do të jenë efektet. Edhe këtu përgjigjen duhet kërkuar nga përvojat e mëhershme. Donatorët rrallëherë që janë të disponuar të japin para në kesh. Ata financojnë projekte, përkatësisht paguajnë ekzekutimin e punëve, ose për pajisje të nevojshme. Në të kaluarën sasia më e madhe parave janë shpenzuar për asistencë teknike, ku janë përfshirë edhe mëditjet shumë të mëdha të ekspertëve, që dërgoheshin nga donatorët. Të shpresojmë se tash do të ndryshojnë format e financimit, posaçërisht pse Kosova ka një qeveri legjitime dhe pavarësinë e saj e kanë njohur 43 shtete.
Qeveria e Kosovës do të ketë një obligim shumë të madhe, që ndonjëherë duket të jetë vështirë i realizueshëm. Nuk janë të mjaftueshme vetëm deklaratat për luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimeve të ndryshme, por duhen masa dhe efekte konkrete. Ato deri më tani kanë munguar. Sigurisht se qeveritë e shteteve donatore, apo menaxherët e organizatave të ndryshme, që nga e premtja, më me syçeltësi do ta vëzhgojnë dhe monitorojnë mënyrën se si po shpenzohen paratë me të cilat po e ndihmojnë Kosovën. ( Marrë nga Lajm )