Telegrafi

Pajtohen Shaqiri me Petkovicin, lojtari premton rikthimin në ekip

Brenga më e madhe e Zvicrës në javët e fundit ka qenë mospajtimi i Xherdan Shaqirit dhe Vladmir Petkovicit.

Gazeta Blick që e ka ndjekur hap pas hapi konfliktin e Shaqirit me ekipin e Zvicrës që shpërtheu muajin e kaluar, shkruan se palët janë pajtuar.

Siç është raportuar tashmë, ylli shqiptar që ka refuzuar të luajë në dy ndeshje të rëndësishme të Zvicrës gjatë shtatorit, do të kthehet në ndeshjet e ardhshme.

Shaqiri në diskutim me trajnerin Petkovic, Foto: Blick.ch

Tashmë, sipas gazetës në fjalë, të mërkurën që shkoi, Vladimir Petkovic së bashku me drejtorin e ekipit kombëtar, Pierluigi Tami kishin udhëtuar për në Londër me një mision: pajtimin me Xherdan Shaqirin.

Dhe shenjat janë se pajtimi ka ndodhur, transmeton albinfo.ch.  Ose së paku raportet në mes të trajnerit dhe futbollistit janë përmirësuar shumë që nga mbrëmja e të mërkurës.

Blick thotë se të dy i kanë diskutuar në hollësi problemet. Shaqiri ka dhënë premtimin se në të ardhmen dëshiron të luajë sërish për ekipin kombëtar.