Site icon Telegrafi

Pacolli: Nuk improvizojmë si të tjerët, programi ynë është përgatitur nga ekspertët

Aleanca Kosova e Re, së bashku me partnerët e koalicionit ka vazhduar sot fushatën zgjedhore edhe në Rahovec, ku në prani të një mase të madhe të qytetarëve të pranishëm, u prezantua kandidati për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga radhët e Koalicionit.

Duke folur për programin qeverisës të koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, Presidenti i Aleancës Kosova e Re, i ka shpjeguar pikat kryesore në detaje.

Ai ka thënë se koalicioni i shpresës do te krijojë mundësi punësimi dhe rritje ekonomike.

“Ne do të arrijmë rritje ekonomike prej 8 % qysh në dy vitet e para të qeverisjes, rritje të të hyrave buxhetore për kokë banori por edhe përmirësim të infrastrukturës shëndetësore dhe arsimore”, ka pohuar Pacolli.

Ai më tej ka treguar edhe për planet e krijimit të tri platformave agro-ekonomike.

“Krijimi i tri zonave të lira ekonomike do ta bashkojë tregun me Shqipërinë dhe kështu kultivuesit e rrushit do të kenë ku ta shesin atë, vetëm një pjesë e vogël konsumohet për nevojat tona, ndërsa pjesa tjetër duhet të eksportohet, prandaj do të bëjmë që ai mall të lëviz lirshëm në të gjitha trojet shqiptare”, ka thënë Presidenti i AKR-së.

Numri një i AKR-së ka thënë se përmes qeverisjes së koalicionit AKR-LDK, Kosova do të përfshihet në tregun global të kompanive.

“Ne do të ndërtojmë fabrika, do të hapim veprimtari ekonomike si në fshat ashtu edhe në qytet, do të përmirësojmë infrastrukturën shëndetësore dhe rrugore, gjithmonë duke u kujdesur për ruajtjen e ambientit. Ky është programi ynë të nderuar qytetarë, ne nuk do të improvizojmë programe si të tjerët, sepse kemi program të gatshëm, ai është përgatitur nga ekspertët”, ka thënë ndër të tjera Presidenti Behgjet Pacolli duke ju bërë thirrje qytetarëve të Rahovecit që me datë 11 qershor të votojnë koalicionin e shpresës në krye me Dr.Avdullah Hoti.

Kandidati i koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, për kryeministër Dr.Avdullah Hoti ka potencuar se Qeveria e re, përmes Fondit të Zhvillimit, do të mbështesë idenë e çdo të riu për biznes.

“Ne kemi plan konkret për ta rritur buxhetin e Kosovës. Reformat që kemi planifikuar do ta garantojnë rritjen ekonomike. Qeveria që unë do të drejtoj, me stabilitetin buxhetor që ju garantoj se do ta ketë, do të arrijë të punësojë të gjithë ata që çdo vit bëhen të aftë për punë”, ka thënë Hoti.

Exit mobile version