Site icon Telegrafi

Pacolli në Istog: Amanetin e Rugovës do ta çojmë në vend

Sot në Istog, në një tubim ku të pranishëm ishim mijëra qytetarë, Aleanca Kosova e Re bashkë me partnerët e koalicionit LDK-LD-Alternativa, kanë prezantuar kandidatin për kryeministër, plan programin qeverisës dhe kandidatët për deputetë nga radhët e koalicionit.

“Jam këtu, në shtëpinë e madhe të Ibrahim Rugovës. Ka qenë dëshirë e imja dhe e anëtarëve te AKR-së që të jemi këtu dhe t’ju ofrojmë krejt potencialin që posedojmë, të ofrojmë diturinë tonë dhe eksperiencën tonë”, ka thënë Behgjet Pacolli, në fjalën e tij para qytetarëve, thuhet në njoftimin e AKR-së.

Duke i përmendur problemet e shumta të Kosovës, Pacolli ka treguar për dështimet e institucioneve në shëndetësi, arsim, siguri, mbrojtje të ambientit, e sfera të tjera.

Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve të Istogut që t’i thonë mjaft zhvatjeve, dhunimit dhe hajnisë.

“Ka ardhë dita që t’i kthehemi realitetit, e ai është amaneti i Ibrahim Rugovës, ne do ta çojmë amanetin e tij në vend me njerëz të ditur dhe të urtë, kështu ndërtohet shteti”, ka pohuar Pacolli.

Duke i falënderuar qytetarët e Istogut për pritjen madhështore, lideri i AKR-së theksoi se, përkrahja e madhe e qytetarëve është dëshmia më e mirë se koalicioni i shpresës, do të fitojë bindshëm. Ai ri konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e tij të fuqishme për kandidaturën e Dr.Avdullah Hoti dhe iu bëri thirrje qytetarëve që me 11 qershor ta votojnë atë për kryeministër. /Telegrafi/

 

Exit mobile version