Shkëndija sonte (e martë) zhvillon ndeshjen kthyese të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Sheriff Tiraspolit të Moldavisë.
Skuadra nga Tetova fitoi me rezultat 1-0 si vendas në Filip Arena II në Shkup dhe sfida në udhëtim do ta përcaktojë skuadrën që do të vazhdojë në rrethin e tretë kualifikues të garës më të madhe evropiane për klube.
Në konferencën zyrtare për shtyp, trajneri Qatip Osmani ka thënë se të zgjedhurit e tij i pret një ndeshje e vështirë përkundër epërsisë nga takimi i parë.
“Ne do të hyjmë për të dhënë më të mirën, të luftojmë me maksimumin e forcave tona për të marrë rezultatin e dëshiruar që do të na kualifikonte në raundin e tretë”, është shprehur ai.
Shkëndija të hënën e ka zhvilluar seancën stërvitore në stadiumin Sheriffit dhe është gati për përballjen e rëndësishme.
Kampioni i Maqedonisë do ta ketë për qëllim që të mos e humbë ndeshjen, duke qenë se çfarëdo barazimi e kualifikon tutje.
Po ashtu, do të përpiqet të shënojë gola, sepse nëse realizon dhe humb me një gol diferencë, atëherë Shkëndija do të jetë në raundin tjetër. /Telegrafi/