Telegrafi

Organizohet edicioni i tretë i Social Innovation Camp Kosovo

Kampi për Inovacion Social në Kosovë është ngjarje dinamike, me karakter garuese, që sjellë së bashku idetë, njerëzit dhe veglat digjitale për të zgjidhur problemet sociale brenda 48 orëve, përmes web-teknologjisë. Siç thekson edhe koordinatori i Kampit për Inovacion Social në Kosovë, Ron Salaj, “Kampi ka për qëllim që t’ju japë hapësirë të rinjëve kosovarë që me talentin, ekspertizën dhe kreativitetin e tyre të tregojnë që problemeve të ndryshme sociale mund t’ju gjehet zgjidhje alternative, me resurse modeste dhe përmes teknologjisë se web-it dhe telefonave të mençur (smartphone-ave), e gjithë kjo mbrenda një 48-orëshi intenziv, por edhe argëtues”.

Ndërsa, Taulant Hoxha, ideatori i platformës Eventor, dhe pjesëmarrës në edicionin e dytë të Kampit për Inovacion Social në Kosovë, thekson se: “ideja e platformës Eventor kishte kohë qe më sillej në mendje, por nuk kishte ndonjë mundësi për ta sjellë ne realitet. Kështu që në momentin kur e pashë Thirrjen për Ide nga Kampi për Inovacion Social në Kosovë, aplikova menjëherë dhe fatmirësisht ideja ime u përzgjodh. Gjatë kampit, pata rastin që të njoftohem me miqë të rinjë dhe ekspertë të fushave të ndryshme nga Kosova, Europa dhe SHBA-të, të cilët me ndihmën dhe këshillat e ofruara më ndihmuan që Eventori të kthehet nga një ide në kokë, në projekt real.”. Sot platforma Eventor ka mbi 100 publikime, mbi 5000 përcjellës në rrjetet sociale dhe së fundmi ka fituar njërin ndër cmimet kryesore në Rhodes Youth Forum në Greqi.

Në këtë Kamp do të marrin pjesë ekspertë lokal dhe ndërkombëtarë nga lëmi të ndryshme (zhvillues souftueri, dizajnerë, ekspertë të marketingut, etj), ndër ta edhe bashkëthëmeluesi dhe drejtori i Kampit për Inovacion Social të Britanisë së Madhe – Dan McQuillan. Kampi për Inovacion Social në Kosovë është i hapur për të gjithë të rinjtë kosovarë të moshës 18-29 vjeç. Ndërsa, gjashtë (6) ekipet e përzgjedhura do të luftojnë për tre çmimet e para, të cilat do të sponzorohen për një periudhë 6-mujore pas Kampit, për ta zhvilluar mëtutje idenë dhe produktin e tyre.

Të gjithë ata të rinjë kosovarë që kanë ide të ndryshme mund të aplikojnë deri më datën 17 Nëntor 2013, duke e plotësuar formën e aplikimit, që mund ta gjeni në faqen zyrtare të Kampit për Inovacion Social në Kosovë: www.sicampkosovo.org.

Kampi është gjithashtu i hapur edhe për pjesëmarrës individual, të cilët megjithëse mund të mos kenë ndonjë ide, mund të kontribuojnë me aftësi dhe ekspertizë të ndryshme. Ftohen që edhe ata të aplikojnë deri me datën 17 Nëntor 2013 përmes faqes zyrtare të Kampit.

Kampi për Inovacion Social në Kosovë organizohet nga Laboratori për Inovacione i UNICEF-it në Kosovë (UNICEF Innovations Lab Kosovo). Ndërsa mbështetet nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë , Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Portali Telegrafi, TV Klan Kosova dhe OJQ “PEN”.

Gjithashtu, për infromata më të reja mund të na ndiqni përmes faqes zyrtare në Facebook të Laboratorit për Inovacione të UNICEF-it në Kosovë: https://www.facebook.com/KosovoInnovations