Organizata e Shoqërisë Civile, Youth Association for Human Rights (YAHR), ka përfunduar një monitorim të detajuar të punës së Kuvendit Komunal të Shtimes për periudhën e dytë të vitit 2024. Qëllimi i këtij monitorimi ishte vlerësimi i angazhimit të kuvendarëve komunalë si përfaqësues të qytetarëve, duke analizuar performancën e tyre në seancat plenare dhe angazhimin e subjekteve politike në procesin legjislativ dhe mbikëqyrës.
Sipas raportit të kësaj organizate, gjatë periudhës korrik- dhjetor janë zhvilluar 6 seanca plenare, ku janë miratuar gjithsej 18 vendime, 5 rregullore dhe plane komunale, si dhe 11 raporte dhe informacione të ekzekutivit.
Bekim Krasniqi, drejtor në këtë organizatë ka thënë se këto seanca kanë shërbyer si një mundësi për vlerësimin e nivelit të angazhimit dhe përgjegjshmërisë së kuvendarëve ndaj qytetarëve të Komunës së Shtimes.
Analiza e YAHR ka nxjerrë në pah disa figura për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm. Kuvendarët më të aktivizuar gjatë kësaj periudhe ishin Reshat Mujota (i Pavarur), Adelina Beqaj (PDK) dhe Besnik Seferi (LVV).
“Reshat Mujota, me 145 pikë, ka treguar angazhim të jashtëzakonshëm, duke inicuar pyetje dhe diskutime për çështje të rëndësishme për qytetarët. Besnik Seferi ka qenë gjithashtu i pranishëm dhe aktiv, duke kontribuar në diskutime të rëndësishme për politikat lokale dhe të drejtat e qytetarëve, ndërsa Adelina Beqaj ka qenë një nga figurat më të shquara të gruas, me një angazhim të lartë në seanca dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.
Raporti i kësaj organizate ka nxjerr në pah edhe kuvendarët më pasiv e, shumë prej tyre nuk kanë diskutuar asnjëherë gjatë pjesës së dytë të kësaj legjislature.
“Pjesëmarrja e grave në politikë ka qenë gjithashtu një aspekt i rëndësishëm i monitorimit. Kuvendarja më aktive ka qenë Adelina Beqaj, e ndjekur nga Zejnije Veliu (LVV) dhe Albana Podvorica (PDK). Pavarësisht se ndodhen në pozita të ndryshme partiake, ato kanë treguar angazhim për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të kontribuar në përmirësimin e jetës komunitare”, ka shtuar Krasniqi.
Sipas raportit, pjesëmarrja e subjekteve politike në diskutime ka qenë e evidentuar se PDK ka dominuar në diskutime, me 64 diskutime, që përbën 33.68% të të gjithave.
Pastaj Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka qenë gjithashtu aktive me 44 diskutime (23.15%), ndërsa Reshat Mujota (i Pavarur) ka kontribuar me 27 diskutime (14.21%).
Partitë më të vogla, si Lëvizja për Bashkim (LB) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR), kanë pasur një përfaqësim më të ulët në diskutime, por kanë kontribuar në çështje të rëndësishme për komunitetin. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka pasur angazhim më të kufizuar, me vetëm 13 diskutime.
“Nga ky monitorim, YAHR ka nxjerrë disa përfundime dhe rekomandime për të rritur efikasitetin e Kuvendit Komunal të Shtimes: Rritja e pjesëmarrjes aktive të kuvendarëve, veçanërisht atyre më pasivë, për të siguruar një përfaqësim të plotë dhe efektiv të interesave të qytetarëve. Përshtatja e rendit të ditës së seancave plenare për të mundësuar një angazhim më të madh në diskutime dhe për të adresuar çështjet më të rëndësishme për komunitetin. Rritja e transparencës dhe mbështetjes për iniciativat e kuvendarëve, duke krijuar mundësi për diskutime më të hapura dhe interaktive që përfshijnë qytetarët”, thuhet në raport./Telegrafi/