Organizata e ndihmës humanitare World Central Kitchen ka njoftuar se po ndalon operacionin e saj në Gaza pasi një numër i punëtorëve të saj u vranë në një sulm ajror izraelit.
World Central Kitchen (WCK) tha se ishte “zemërthyer” që një automjet që transportonte punonjës u godit nga sulmi, duke konfirmuar pretendimet e mëparshme nga zyrtarët izraelitë dhe palestinezë.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se një nga tre punonjësit e vrarë ishte një “terrorist” që ndihmoi në orkestrimin e masakrës së 7 tetorit të vitit të kaluar.
Por deklarata e WCK tha: “World Central Kitchen nuk kishte njohuri se ndonjë individ në automjet kishte pretenduar lidhje me sulmin e Hamasit të 7 tetorit”, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Ajo shtoi: “WCK po ndalon operacionet në Gaza në këtë kohë. Zemrat tona janë me kolegët tanë dhe familjet e tyre në këtë moment të paimagjinueshëm”.
Bëhet e ditur se dërgesat e ndihmave të WCK në Gaza u pezulluan përkohësisht në fillim të këtij viti pasi shtatë nga punëtorët e saj, shumica e të cilëve të huaj, u vranë në një sulm ajror izraelit.
Organizata është një organizatë jofitimprurëse që thotë se është e para për të ofruar “ushqime të freskëta në përgjigje të krizave”.
Një zyrtar në ministrinë e Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi tha se dy të tjerë u vranë në sulmin e së shtunës – por nuk dha detaje të mëtejshme.
Incidenti vdekjeprurës është i fundit që ka prekur punonjësit e ndihmës në territor, të cilët ndihmojnë në sigurimin e ushqimit, ilaçeve dhe strehimit për miliona të zhvendosur. /Telegrafi/