Telegrafi

Ora e “Sahat Kullës” në Gjakovë vazhdon të jetë jashtë funksionit

“Sahat Kulla”është një monument që i përket trashëgimisë kulturore në qytetin e Gjakovës dhe që gjendet në afërsi të Çarshisë së Vjetër.

Por, pavarësisht rëndësisë së madhe që ky monument ka në aspektin kulturor, ora e vendosur në këtë kullë ka kohë që nuk funksionon.

Telegrafi përmes postës elektronike ka kërkuar informacione nga Zyra e Informimit e Komunës së Gjakovës pse ora e Sahat Kullës është jashtë funksionit, të cilët në përgjigjjen e tyre kanë thënë se po vazhdon të mbetet problem mekanizmi i orës që aktualisht është e vendosur në kullë.

“Me Sahat Kullën po vazhdon të mbetet problemi i njejtë sepse nuk po gjindet mekanizmi i orës ekzistuese. Janë duke u shikuar disa opsione që ora të ndërrohet komplet. Shpejtë duhet të dalë në tenderim ndërrimi i orës.”, thuhet në përgjigjjen e Zyrës së Informimit të Komunës së Gjakovës dhënë Telegrafit.

Kulla është ndërtuar në vitin 1597 në periudhën osmane, por kjo kullë u dogj në vitin 1912, nga ushtria serbo-malazeze, për tu ri-ndërtuar shumë më vonë, përkatësisht pas luftës së fundit në Kosovë, ku rindërtimi i saj u bë në bazë të fotografive të ruajtura në arkivin e qytetit të Gjakovës. /Telegrafi/