Pozita dhe opozita në Komunën e Gjilanit nuk po arrijnë një marrëveshje kompromisi për tejkalimin e ngërçit politik, duke pamundësuar miratimin e buxhetit për vitin 2025.
Ndaj kësaj situate ka reaguar kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, i cili ka mohuar deklaratat e kryetarit Alban Hyseni se mbi 2,700 punëtorë do të mbesin pa paga.
“Aspak nuk është e vërtet se do të mbesin pa paga 2700 punëtorë dhe shërbyes civil, si pasojë e mos miratimit të buxhetit për komunën e Gjilanit. Ata nga marsi do t’i marrin pagat normalisht pa asnjë vonesë”, ka thënë Rashiti.
Ai sqaron se pagat do të vazhdojnë normalisht pas marsit, pasi menaxhimi i buxhetit do të bëhet nga një administrator i Ministrisë së Financave.
“E vërteta e hidhur ëshë e rëndë vetëm për kryetarin e komunës, sepse sipas ligjit të financave, nga 1 marsi do ta ketë një administrator nga ministria e financave që do të menaxhojë buxhetin e Gjilanit për këtë vit. Kjo është e vetmja pasojë, për mos miratimin e buxhetit komunal deri më 28 shkurt”, ka thënë ai.
Rashiti shton se kryetari Hyseni e ka humbur besimin tek qytetarët e Gjilanit, si dhe përfaqësuesit në Kuvend Komunal.
“Kryetari e ka humbur plotësisht besimin e qytetarëve të Gjilanit, ashtu qysh e ka humbur më parë besimin e përfaqësuesve të tyre në Kuvendin Komunal, ashtu qysh e ka humbur besimin edhe të vet asambleistëve të VV-së, ku edhe sot në seancën “urgjente” të thirrur nga ai, i janë përgjigjur vetëm 6 nga 10 sa janë në Kuvendin Komunal”, ka shtuar Rashiti.
Ndryshe, kryetari Hyseni ka deklaruar se do të thërrasin sërish seancë urgjente këtë të enjte, duke lutur kështu opozitën që të reflektoj. /Telegrafi/