Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725
web@shtatezania.com
Mënyra se si një grua e percepton regjionin e saj gjenital ka ndikim shumë të madh në jetën e saj emocionale. Kjo mund të bëjë që një femër të humb dëshirën seksuale, të ulë vetëbesimin e saj dhe të zvogëlojë kënaqësinë seksuale. Rrjedhimisht kjo mund të shkaktojë edhe shkatërrim të raporteve seksuale dhe emocionale që ajo ka me partnerin e saj.
Kjo është arsyeja se përse shumë femra sot kërkojnë ndihmë për të korrigjuar ndryshimet në organet e tyre gjenitale, për të kthyer vetëbesimin, për të rritur kënaqësinë seksuale dhe të rinuar jetën e tyre seksuale. Intervenimet që mund të kryhen janë vaginoplastika (apo ngushtimi i vaginës) dhe labiaplastika (korrigjimi i pamjes dhe madhësisë së buzëve të vaginës). Himenoplastika është një intervenim gjatë të cilit cipa e virgjërisë (ose himeni) rikthehet sikurse ka qenë përpara marrëdhënies së parë seksuale.
Vagina dhe muskujt përreth saj mund të dobësohen dhe të humbin tonusin e tyre për shkak të lindjeve, për shkak të moshës dhe traumës. Kjo bën që raporti seksual të mos ofrojë kënaqësinë e mëparshme për gruan, por sidomos për partnerin e saj. Shumë gra jetojnë me këtë problem, por këto ndryshime mund të korrigjohen lehtësisht.
Intervenimet në organet gjenitale janë kryer që moti, por kohët e fundit kërkesa është shtuar dukshëm. Karakteristikë e përgjithme e grave të cilat kërkojnë këto shërbime është se ato duan që të vazhdojnë të jenë atraktive për partnerin e tyre dhe që të mos kenë asnjë kompleks lidhur me organet e tyre intime.
Labiaplastika (korrigjimi i buzëve të vaginës)
Shumë femra i kanë buzët e vogla të vaginës shumë të rritura. Në këtë rast buzët e vogla dalin jashtë dhe nuk mbulohen nga buzët e mëdha. Këto gra normalisht që nuk janë të kënaqura me pamjen e buzëve të vaginës. Në këtë rast bëhet riformimi i buzëve të vogla të vaginës sipas kritereve estetike të gruas. Ky intervenim mund të kryhet nën anestezion lokal ose të përgjithshëm varësisht nga gjendja psikologjike e gruas, por edhe nga kohëzgjatja e parashikuar e intervenimit. Qepja bëhet me penj resorbtivë (domethënë me penj që shkrihen dhe që s’kanë nevojë të hiqen). Zakonisht pas operacionit jepen antibiotikë për ta parandaluar infeksionin. Operacioni bëhet menjëherë pasi të kryhen menstruacionet. Pas operacionit nuk rekomandohet që të bëhen punë të rënda fizike, të bëhet dush më ujë të nxehtë, nuk rekomandohet larja në pishinë.
Plastika e vaginës
Ky është operacioni që kryhet gjithnjë e më shpesh në disa vitet e fundit. Në shumicën e rasteve këto janë gra të cilat kishin pasur komplikime gjatë lindjeve. Këto gra pohojnë se raportet seksuale janë përmirësuar dukshëm dhe se partneri ndjen shumë më tepër kënaqësi. Gjatë lindjes vagina zgjerohet dhe pas lindjes nuk kthehet në dimensionet e mëparshme. Shpeshherë pas lindjeve të vështira, në vaginë mbesin vragë të cilat vështirësojnë raportin seksual.
Vagina është një organ që me moshën dobësohet, muret bëhen më të buta, hapësira e vaginës zgjerohet dhe muret dalin pjesërisht jashtë (sikurse gishti i dorëzës kur nxirret dora nga dorëza). Këto ndryshime shkaktojnë probleme psikologjike tek gruaja, sepse vagina është një organ që lidhet me kënaqësi dhe përjetime erotike jo vetëm për gruan, por edhe për partnerin e saj i cili nuk ndjen kënaqësinë seksuale sikurse më parë. Sot, është e mundur që këto probleme të eliminohen. Vaginës i kthehet forma e mëparshme nga jashtë, kurse nga brenda ajo ngushtohet.
Himenoplastika (korrigjimi i cipës së virgjërisë)
Himenoplastika është rikthimi i virgjërisë. Në këtë rast intervenimi nuk bëhet për shkaqe estetike, por për të zgjidhur problemin etik të gruas. Ndonëse në ditët e sotme kanë ndryshuar dukshëm normat morale e etike dhe raportet midis partnerëve janë dukshëm më liberale, himenoplastika vazhdon të mbetet një operacion mjaft aktual dhe që kryhet shumë shpesh. Ekzistojnë dy tipe të himenoplastikës. Metoda e parë është afatshkurtër dhe himeni korrigjohet për një periudhë të shkurtër kohore (disa javë), kurse metoda e dytë është rikonstruktimi i himenit për një periudhë të gjatë kohore.
Gjëndrat e Bartolinit
Këto gjëndra gjenden në të dy anët e vaginës. Ndonjëherë ndodh që kanali i këtyre gjëndrave të mbyllet dhe kjo shkakton dhimbje, temperatura dhe rritje të gjëndrës e cila mund të arrijë madhësi sa të një veze. Në këtë rast gruaja ka dhimbje dhe e ka të pamundur të kryeje aktivitetet e përditshme jetësore. Operacioni në këtë rast konsiston në zgjerimin e kanalit të gjëndrës ose heqjen e gjëndrës në tërësi.
Deflorimi
Ndonjëherë himeni është aq i fortë saqë e pamundëson raportin seksual. Marrëdhënia seksuale është aq e dhimbshme saqë është e pamundur të bëhet penetrimi. Në këtë rast bëhet hapja kirurgjike e himenit.
Në disa raste himeni mund të mos ketë vrimën për drenimin e gjakut menstrual. Në këtë rast gjaku grumbullohet në mitër dhe shkaktohet një gjendje që quhet colpometra. Në këtë rast patjetër duhet të bëhet një hapje në cipën e himenit.
Të gjitha këto operacionet mund të kryhen nën anestezion lokal ose të përgjithshëm. Ndonjëherë para operacionit është e nevojshme që të bëhen analiza të caktuara laboratorike dhe të shihet se mos ndoshta ka ndonjë sëmundje e cila e bën të pamundur operacionin.
Në rastet kur operacioni kryhet nën anestezion të përgjithshëm, anestezionin e jep specialisti i anestezionit. Gjatë kësaj kohe gruaja “flenë”, domethënë nuk është e vetëdijshme gjatë kohës derisa kryhet intervenimi. Nëse operacioni kryhet nën anestezion lokal (regjional) atëherë një pjesë e trupit nuk ndjen dhimbje, por gruaja është zgjuar. Secila formë e anestezionit i ka përparësitë dhe mangësitë e veta.
/Telegrafi/