Telegrafi

Opera ofron edhe VPN në shfletuesin e saj!

Shfletuesi i uebit, Opera, ka lansuar një shërbim të ri për kërkim privat në internet të njohur si Virtual Private Network (VPN).

Me aktivizim të këtij shërbimi i cili është i përshtatshëm për versionin e fundit të aplikacionit për desktop, VPN krijon lidhje të sigurtë dhe të koduar e cila lidhet me njërin prej serverëve të Opera-së nëpër botë.

“Ne e kuptojmë se njerëzit janë të merakosur për privatësinë e tyre online dhe interesimi i tyre për shërbimin VPN është duke u rritur,” ka deklaruar një zyrtar i kompanisë.

“Megjithatë, përdorimi i VPN-së ka dy pengesa kryesore: një, është i komplikuar për t’u përdorur dhe dy, kërkon pagesë mujore. Opera zgjidh të dyja pengesat duke lansuar shërbim VPN pa pagesë dhe të lehtë për përdorim.”

Përdoruesit mund të zgjedhin që të lëvizin trafikun e tyre online përmes Gjermanisë, Holandës, Singaporit, Kanadës dhe Amerikës, ose mund të lejojnë që Opera të zgjedh një lokacion për ta.