Telegrafi

Onix inkuadroi një portier pa të drejtë loje, KEK-u kalon në çerekfinale të Kupës së Kosovës

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka marrë vendim në lidhje me ndeshjen e 1/8 së finales në Kupën e Kosovës mes Onixit dhe KEK-ut.

Skuadra nga Obiliqi, KEK-u e ka fituar takimin me rezultat zyrtar në tavolinë 3-0 përballë Onixit, njofton FFK-ja.

Ndeshja e zhvilluar në fundjavë ishte mbyllur 3-3 dhe pas penalltive Onix kishte kaluar tutje.

“Regjistrohen ndeshjet me rezultatet e arritur në fushë me përjashtim të ndeshjes Phonix-KEK-u, e cila regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KEK-ut”, thuhet në vendimin e Komisionit të Garave të FFK-së.

KEK-u ishte ankuar se Onixi kishte thyer rregullat bazë të ndeshjes duke e inkuadruar në lojë portierin rezervë, emri i të cilit nuk figuronte në protokollin zyrtar të ndeshjes.

Onixi në fakt e kishte fituar ndeshjen pas penalltive, mirëpo e gjitha ka “rënë në ujë” pasi Komisioni i Garave i ka dhënë fitoren KEK-ut.

Edhe FC Onix kishte ushtruar ankesë me pretendimet se në ndeshjen e zhvilluar është aktivizuar në bankinë si kryetrajner i KF KEK-ut, Faruk Statovci, pa të drejtë, por kjo gjë është hedhur poshtë nga Komisioni i Garave. /Telegrafi/