Telegrafi

Onana pranon fajin për humbjen e Man Utd ndaj Bayernit, Ten Hag nuk mendon kështu

Andre Onana ka thënë se zhgënjeu skuadrën e tij në një intervistë të sinqertë pas humbjes dërrmuese të Manchester United ndaj Bayern Munich në Ligën e Kampionëve, por kështu nuk mendoi trajneri Erik ten Hag.

Onana, i cili iu bashkua klubit anglez nga Interi për rreth 55 milionë euro gjatë afatit kalimtar të verës, bëri një gabim të madh në humbjen 4-3 të skuadrës së tij në Allianz Arena të mërkurën.

Ai dështoi të ndalonte goditjen e lehtë dhe nga largësia të Leroy Sane duke ia mundësuar epërsinë klubit gjerman. Portieri kamerunas pranoi edhe tre gola të tjerë teksa United hapi me humbje sezonin e Ligës së Kampionëve.

Lexo po ashtu Bayern Munichu fiton trilerin ndaj Manchester Unitedit

Por, Onana doli pas ndeshjes dhe foli për TNT Sports pas rezultatit. Ai mori përgjegjësinë e plotë në një intervistë brutalisht të sinqertë pas ndeshjes.

“Pas gabimit tim ne humbëm kontrollin e lojës – unë jam ai që e zhgënjeu skuadrën. Ekipi ishte i mirë, ne nuk e fituam këtë lojë për shkakun tim”, ka thënë fillimisht Onana.

“Fillimi im në Mançester nuk është aq i mirë. Sot është një nga ndeshjet e mia më të këqija. Ishte një mundësi e madhe për ne që të rikthehemi nga presioni me të cilin po përballemi, por është e vështirë. Duhet të jemi bashkë”, përfundoi ai.

 

Megjithatë, trajneri i Unitedit, Ten Hag nuk e ka fajësuar Onanën, të cilin e ka vlerësuar për marrjen e përgjegjësisë.

“Është mirë që Onana po merr përgjegjësinë, por ka të bëjë me gjithë ekipin – ne rikthehemi si ekip”, ka thënë Ten Hag. /Telegrafi/