Site icon Telegrafi

Olta e shqetësuar për vjedhjen e këngës

Këngën "Zemrën e lamë peng", të këngëtares Olta Boka, mund ta dëgjoni tani edhe në gjuhën hebraishte, nga këngëtari izraelit Boaz Mauda. Këngëtarja me këtë këngë ka përfaqësuar Shqipërinë në Evrovizionin e vitit 2008, por papritur e dëgjoi atë nga dikush tjetër, pa respektuar të drejtën e autorit. Kënga është përfshirë na albumin e izraelitit dhe është një nga këngët kryesore të kësaj përmbledhjeje muzikore.

Boka ngre shqetësimin e saj për këtë fakt, pasi për të është kryer një vepër penale dhe, si e tillë, ajo pretendon t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje. Në një intervistë për SH2-shin, ajo premton se së shpejti do të konsultohet me juristë dhe do të ngrejë një padi kundër këtij këngëtari. Olta rrëfen se e ka njohur Boazin në vitin 2008, kur të dy përfaqësonin përkatësisht shtetin e tyre në Eurovizion. Duket se Mauda-s i ka pëlqyer aq shumë kënga e Oltës sa, pa një pa dy, e ka bërë të tijën.

Olta, këngën tuaj, "Zemrën e lamë peng" e cila ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, e kemi dëgjuar kohët e fundit nga një këngëtar izraelit. Tregoni pak për këtë…

Po, është shumë e vërtetë, këngëtari izraelit, Boaz Mauda, e ka përfshirë këngën time në albumin e tij. Problemi qëndron se kënga është në gjuhën hebraishte dhe këndohet pa respektuar të drejtën e autorit nga ky i fundit.

Ju keni qenë në dijeni se dikush po përdorte këngën tuaj?

Jam vënë në dijeni të këtij lajmi para pak kohësh, i cili më habiti, pasi kënga komentohej të ishte dhe një nga këngët më të rëndësishme të albumit.

Keni bërë përpjekje të kontaktoni me atë këngëtar?

Personalisht jo, mendoj se mund të ketë në të ardhmen një komunikim indirekt, domethënë, kontaktet nuk do jenë në rang personal.

Ju e njihni këngëtarin Boaz, jeni takuar ndonjëherë më të?

Boaz Mauda ka qenë përfaqësues i Izraelit në Eurosong 2008, vit ku merrja pjesë dhe unë. Gjatë kohës së qëndrimit atje nuk është se jam takuar me të, por kemi pasur vetëm këto marrëdhënie formale që kishim me shumicën e konkurrentëve pjesëmarrës.

Sa e shqetësuar ndihesh ti realisht, që kënga më të cilën ke përfaqësuar Shqipërinë, është marrë nga dikush pa të drejtë autori?

Normalisht ndihem e shqetësuar, si fillim për rëndësinë që ka kjo këngë për mua dhe për faktin që nuk kam qenë në dijeni të huazimit të këngës, duke mos u respektuar kështu e drejta e autorit.

Kjo mund të merret edhe si vlerësim që ai e ka pëlqyer këtë këngë dhe e ka marrë?

Mund të pëlqehen shumë këngë, por kjo nuk do të thotë që mund të merren ato dhe të futen në një album pa asnjë kontratë mes palëve. Sa për vlerësimin, unë mendoj se kënga e ka marrë me pjesëmarrjen në Eurovizion.

Çfarë mendon të bësh pas kësaj, i ke dërguar ndonjë mesazh këngëtarit?

Shumë shpejt do konsultohem me një jurist për të mësuar kështu rrugën dhe mundësitë që duhen ndjekur në vijim.

Pse nuk e hedh në gjyq, e ke menduar të ngresh një padi për të kërkuar të drejtën e tënde?

Në qoftë se do më këshillohet nga personat kompetentë, mendoj se do ta çoj çështjen gjer në fund.

Cila është shuma monetare që do t’i kërkoje izraelitit për dëmshpërblim?

Faktikisht nuk kam informacion për dëmshpërblimin. Duhet të shtoj se është gjeja e fundit që më bie ndërmend.

Dalim pak nga kjo temë, me çfarë po merresh tani, cilat janë angazhimet e tua?

Angazhimi më i afërt është një këngë e re në fillim të vjeshtës.

Sapo keni nxjerrë një këngë me një videoklip, i keni marrë përshtypjet e para, jeni e kënaqur nga ato?

Jam shumë e kënaqur dhe po shijoj frytet e punës së bërë.

Olta në këtë këngë i këndon dashurisë, po ju vetë sa e njihni këtë ndjenjë?

Nuk jam njohur akoma me dashurinë. /Shekulli/Telegrafi/

Exit mobile version