Telegrafi

‘Ole jashtë, por çka më pas?’ – Schmeichel në mbrojtje të Solskjaer

(Foto: Manchester Evening News)

Legjenda e Manchester Unitedit, Peter Schmeichel, i ka dalë në mbrojtje ish-bashkëlojtarit të tij, Ole Gunnar Solskjaer, pas kritikave të mëdha nga grupe të caktuara të tifozëve të Djajve të Kuq.

Trajneri i skuadrës angleze ka qenë vazhdimisht pre e kritikave kërkesave për shkarkim, derisa në rrjetet sociale ka qarkulluar hashtagu #OleOut.

Ai është vënë përsëri në presion pas barazimit zhgënjyes në shtëpi ndaj Evertonit gjatë fundjavës që lamë pas.

Vendimi i Solskjaer për ta lënë Cristiano Ronaldon në bankën rezervë është kritikuar nga Alex Ferguson, ndërsa Jamie Carragher beson se superylli portugez vetëm sa i ka shtuar shqetësimet e norvegjezit në Old Trafford.

Përkundër paraqitjeve jo aq të pëlqyeshme, Unitedi ka vetëm dy pikë më pak se lideri Chelsea pas shtatë ndeshjeve të para në Ligën Premier.

(Foto: Planet Football)

Sidoqoftë, vendimet taktike dhe përzgjedhjet e Solskjaer nuk pëlqehen aspak nga disa prej ultrasve të klubit, disa prej të cilëve kanë kërkuar shkarkimin e trajnerit.

Lexo po ashtu Ferguson paralajmëron Solskjaerin për Ronaldon: Ju duhet të filloni ndeshjen me lojtarët më të mirë

Kërkesat e tilla, Schmeichel i konsideron “absolutisht qesharake” duke theksuar se ansjë trajner tjetër nuk do të bënte punë më të mirë se 48-vjeçari.

“Mendoj se është qesharake, absolutisht qesharake. Çfarë duan ata? Një tjetër (Louis) Van Gaal apo një tjetër (Jose) Mourinho? Çfarë duan?”.

“Është provuar dhe testuar për të sjellë të ashtuquajtur emra të mëdhenj dhe ata nuk e kanë dashurinë e njëjtë, kujdesin e njëjtë në secilin detaj dhe zhvillimin e të rinjve, si dhe ADN-në e klubit që e ka Ole”.

“Mos harroni, vitin e kaluar përfunduam në vend të dytë. Nëse përfundojmë në vend të dytë këtë vit, është akoma, shumë, shumë mirë. Jepni Oles kohë”.

“Të mos i hedhim të gjithë kryetitujt: ‘Ole jashtë’. Pyetja e radhës është: ‘Çka më pas?’”.

“Nëse dikush mund të thotë një emër që garanton se do të bëjë më mirë, atëherë jam i gatshëm të debatojmë. Tash për tash, nuk e shoh atë emër”, ka deklaruar Schmeichel për ITV Granada (transmetuar nga MEN). /Telegrafi/