Telegrafi

Ole Gunnar Solskjaer pranë kalimit befasues tek ekipi i sapo inkuadruar në Ligën Premier

Ole Gunnar Solskjaer duket se është rrugës për të bërë rikthimin sensacional në Ligën Premier, më saktësisht tek Leicester City.

The Sun ka raportuar se Solskjaer është në bisedime me Leicesterin për një rikthim të mundshëm në Ligën Premier.

“Dhelprat” kanë kontaktuar ish-trajnerin e Manchester United, teksa kanë hartuar një listë të ngushtë të kandidatëve për të zëvendësuar Enzo Marescan, i cili është bërë pjesë e Chelseat.

Solskjaer thuhet se për pak e kishte humbur mundësinë për t’u bërë trajner i Leicesterit verën e kaluar kur ata insistuan që të emërojnë Marescan dhe ai mbetet i interesuar për këtë detyrë.

Ai më herët kishte hedhur poshtë disa oferta që prej se u largua nga Unitedi në 2021, por mund të joshet që të rikthehet në Angli më saktësisht në “King Power Stadium”.

Solskjaer më herët kishte qenë në bisedime me Suedinë dhe Kanadanë teksa kishte synuar rikthimin në futboll, por asnjë ofertë nuk e kishte joshur norvegjezin deri më tani.

Mbetet të shihet nëse Leicesteri do ta vazhdojnë interesimin e tyre, pasi më herët ata e kishin konsideruar si opsion edhe Maurizio Sarrin, megjithëse ky i fundit raportohet se i kishte refuzuar atë.

Leicesteri po përgatitet për Ligën Premier pasi u promovua nga Championshipi. Megjithatë, ata mund të hyjnë në këtë sezon të ri me zbritje të pikëve për shkak të thyerjes së rregullave financiare të qëndrueshmërisë dhe profitit të Ligës Premier./Telegrafi/