Site icon Telegrafi

Ofendime në baza kombëtare dhe fetare, tifozët e Buducnostit fyen shqiptarët dhe klubin nga Tuzi

Autoritetet disiplinore të Federatës së Futbollit të Malit të Zi do të kenë shumë punë për shkak të derbit Deçiq – Buducnost (1-1), që u zhvillua në kuadër të xhiros së 29-të të Meridianbet 1 CFL, e ku ndeshja u ndërpre për disa minuta shkaku i tifozëve të klubit malazez.

Ndeshja në “DG Arena” u ndërpre për gati një orë në mesin e pjesës së parë, për aq kohë sa tifozëve më të zjarrtë të Buducnostit iu desh të zbatonin urdhrin e delegatit dhe të largoheshin nga tribuna, për shkak të hedhjes së mjeteve piroteknike në fushë.

Gjatë pjesës së ndeshjes, “Barbarët” kanë fyer shqiptarët e Deçiqit të Tuzit si në aspektin kombëtar, ashtu edhe në atë fetar, si dhe ka pasur tension në tribunë dhe në fushë edhe kur kanë dalë nga stadiumi.

Për këtë arsye, Komisioni Disiplinor i FSCG hapi disa raste të veçanta.

Deçiq do të ketë punë me komisionin për shkak të organizimit të dobët të ndeshjes, ndërsa Buducnosti për shkak të sjelljes josportive të tifozëve dhe formave të tjera të diskriminimit.

Edhe Policia Malazeze ka hapur hetime

Policia e Malit të Zi po ashtu ka nisur hetimet, duke e njoftuar Prokurorinë e Lartë të Shtetit për ngjarjet që ndodhën në stadiumin “DG Arena”.

“Me urdhër të prokurorit, zyrtarët e Departamentit të Sigurisë në Podgoricë po ndërmarrin masa dhe veprime me qëllim të identifikimit të personave, mbledhjes së informacioneve dhe vërtetimit të të gjitha rrethanave dhe fakteve”.

“Gjatë ndërprerjes ky grup ka brohoritur parulla ofenduese që nxisin intolerancën. Ndeshja vazhdoi pas 55 minutash, pasi grupi në fjalë është larguar”, thuhet në një komunikatë të policisë.

Drejtor sportiv i Deçiq është Fatos Beqiraj, ish-sulmuesi i njohur pejan, ndërsa presidenti Pal Dreshaj.

Deçiq është afër titullit të parë kampion, pasi është lider në kampionat me 54 pikë, tri më shumë se Buducnost kur kanë mbetur edhe shtatë javë deri në fund. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
Exit mobile version