Telegrafi

OBSH-ja kërkon më shumë informacione rreth valës së re me COVID-19 në Kinë

Zyrtarët kinezë duhet të ndajnë më shumë informacione në kohë reale rreth infeksioneve me COVID-19, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Shumë nga kufizimet e rrepta të vendosura shkaku i coronavirusit, autoritetet kineze i kanë hequr gjatë javëve të fundit, por rastet janë rritur dhe disa vende tani po kontrollojnë udhëtarët nga Kina.

Zyrtarët e OBSH-së thonë se duan të shohin më shumë të dhëna për shtrimet në spital, pranimet në njësinë e kujdesit intensiv dhe vdekjet.

Ajo gjithashtu kërkon shifra për numrin e personave të vaksinuar, raporton bbc..

Shtetet e Bashkuara, Spanja, Franca, Koreja e Jugut, India, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Tajvani kanë vendosur të kërkojnë teste negative për udhëtarët e ardhur prej Kinës, pasi kanë frikë nga një përhapje e virusit.

Ndryshe, Kina ka qenë epiqendra e fillimit të pandemisë së coronavirusit, i cili u shpërnda në të gjithë botën. /Telegrafi/