Site icon Telegrafi

Obiliqi pajiset për herë të parë me Hartën Zonale, Berisha: Mirëpresim kërkesat e qytetarëve për pajisje me leje ndërtimore

Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban, Pronë dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, Arben Berisha, ka bërë të ditur se kjo komunë është pajisur me Hartë Zonale, e cila do të jetë në fuqi për tetë vitet e ardhshme.

Në një postim në platformën sociale Facebook, Berisha tha se të hënën është marrë konfirmimi për ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit Komunal nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

“Sot përfundimisht, para pak çastesh, pranuam nga MAPL edhe konfirmimin e ligjshmërisë së Vendimit të Kuvendit Komunal lidhur me aprovimin e dokumentit të Hartës Zonale të Komunës së Obiliqit. Pas një pune të gjatë ekipore si DPUKP, arritëm që me sukses ta përmbyllim procesin e kompletimit të infrastrukturës ligjore”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se tani komuna është e gatshme të mirëpresë kërkesat e qytetarëve për pajisje me leje ndërtimore në Obiliq.

Berisha shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme të kryetarit Xhafer Gashi, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, Komisionin Komunal, kompaninë konsulente “INSI”, Asamblenë Komunale dhe Kryesuesen e Kuvendit Komunal, si dhe të gjithë qytetarët dhe operatorët ekonomik që kontribuuan me ide, sugjerime dhe komente për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm./Telegrafi/

Exit mobile version