Gjatë këtyre ditëve, dy nxënës nga Vushtrria kanë fituar medalje në olimpiadën ndërkombëtare STEM në Holandë. Nxënësit, Jonart Krasniqi dhe Lorik Rama vijnë nga “Innovation Academy” dhe për këtë garë kishin shumë kohë që kishin filluar përgatitjet.
Drejtoresha e “Innovation Academy”, Fatbardha Dallku-Bajrami për Telegrafin ka thënë se përgatitjet për këso lloj garash janë sistematike në këtë akademi, shkruan Telegrafi.
Ajo ka thënë se përmes kurrikulave inovative tentojnë t’i transferojnë tek nxënësit shkathtësitë për tregun vendor dhe ndërkombëtar të punës.
Dallku-Bajrami ka treguar se gara STEM është olimpiadë ndërkombëtare që organizohet çdo vit dhe që përfshin shumë shtete të botës, duke shtuar se kjo garë ka për qëllim testimin e njohurive në matematikë, kodim, shkencë dhe inxhinieri.
“Gara STEM ka qenë me disa faza, fillimisht dy faza janë zhvilluar në Kosovë, kurse finalja e madhe në Hagë të Holandës. Pra, diku rreth gjashtë muaj ka qenë punë intensive rreth kësaj gare”, ka thënë Dallku-Bajrami.
Drejtoresha e “Innovation Academy” ka thënë se puna me nxënësit gjatë kësaj periudhe ka qenë kënaqësi, por në të njëjtën kohë dhe sfiduese.
“Sfida më e madhe ka qenë t’i bindim të garojnë sepse ekziston frika se ne nuk jemi të barabartë me shtetet tjera të botës”, është shprehur ajo.
Këtë sukses ajo e cilëson si “ëndërr e bërë realitet” dhe se sipas saj, një vend i vogël si Kosova të merr medalje kryesore në këtë garë “është për tu duartrokitur”, transmeton Telegrafi.
“Kosova ka rini të shkëlqyeshme, vetëm mjafton të përkrahen nga familja, shkolla dhe shoqëria në përgjithësi. Jo vetëm që janë të barabartë me të tjerët por janë edhe më të mirë. Këtë e them nga përvoja”, ka shtuar Dallku-Bajrami.
Tutje, ajo ka treguar se si akademi synojnë që nxënësit t’i orientojnë në karrierë qysh në fëmijërinë e hershme.
“Përmes programeve tona synojmë që çdo të riu t’i realizohet ëndrra dhe të ecin të gjithë së bashku drejt majave botërore”, ka përfunduar drejtoresha e “Innovation Academy”, Fatbardha Dallku-Bajrami. /Telegrafi/