Komuna e Drenasit ka njoftuar se nxënësit e Shkollës së Mesme të Ulët “Arif Shala” në Korroticë të Ulët kanë zhvilluar me sukses katër robotë edukativë.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se ky projekt inovativ u bë i mundur falë një donacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hapur rrugën për zhvillimin e mëtejshëm të teknologjisë dhe edukimit në shkollat tona.
“Këta robotë edukativë do të shërbejnë si bazë për mësimin e teknologjisë dhe makinerisë industriale, duke përgatitur nxënësit për sfida të ardhshme në fushën e inxhinierisë dhe robotikës. Projekti gjithashtu do t’u mundësojë nxënësve të marrin pjesë në gara të ndryshme shkencore dhe teknologjike, duke ngritur më tej nivelin e arsimit dhe inovacionit në komunën tonë”, thuhet në njoftimin e bërë në Facebook.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vizituar nxënësit dhe ka vlerësuar lart punën dhe përkushtimin e tyre në këtë projekt.
Ai ka premtuar përkrahje dhe mbështetje të vazhdueshme për të nxitur zhvillimin e aktiviteteve shkencore dhe teknologjike në shkolla.
“Kjo arritje është një dëshmi e talentit dhe përkushtimit të të rinjve tanë. Komuna e Drenasit do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të tilla që sjellin përparim dhe zhvillim për të ardhmen e fëmijëve tanë”, u shpreh Kryetari Lladrovci./Telegrafi/