Gjatë ditëve të fundit, nxënësit e shkollës së mesme së Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” në Mitrovicë janë ankuar se nuk po lejohen të dalin jashtë objektit shkollor për të blerë artikuj ushqimor gjatë pushimit të gjatë.
Disa prej tyre i thanë Telegrafit se “po detyrohen” t’i blejnë në bufenë e shkollës, ku sipas tyre, aty janë çmimet më të larta, shkruan Telegrafi.
Lidhur me këtë, drejtoresha e kësaj shkolle, Drita Zanaj – Qamili për Telegrafin ka thënë se ky vendim është marrë nga Këshilli drejtues i shkollës, Këshilli i arsimtarëve dhe ai i prindërve.
“Shkolla ka vendime dhe rregulla. Ky është një vendim i marrë nga Këshilli drejtues i shkollës, Këshilli i arsimtarëve dhe ai i prindërve”, ka thënë Zanaj – Qamili.
Ajo ka thënë se ky vendim ishte kërkesa e prindërve që nxënësit (fëmijët e tyre) të mos dalin jashtë objektit të shkollës, transmeton Telegrafi.
“Ishte një kërkesë që fëmijët e tyre në pushimin e gjatë, të mos dalin fare jashtë shkollës”, ka treguar ajo.
Ndërsa drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se i respektojnë vendimet që i merr shkolla në koordinim me Këshillin drejtues të shkollës dhe atë të prindërve.
“Ne i respektojmë propozimet dhe vendimet që i nxjerrë shkolla me Këshillin e prindërve dhe Këshillin drejtues të shkollës”, ka thënë Kadriu.
Sipas saj, ky vendim është marrë për shkaqe sigurie dhe se shkolla e ka “autonominë e plotë” të marrë këso vendime.
“Shkolla e ka autonominë e plotë të organizojë mësimin, daljen dhe qarkullimin për shkak të sigurisë”, ka përfunduar drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës.
Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me Këshillin e prindërve, por që të njëjtit nuk ishin të qasshëm. /Telegrafi/