Site icon Telegrafi

Nxënësit e klasës së gjashtë në Davidoc të Shtimes bojkotojnë mësimin shkaku i një nxënësi ”problematik”

Nxënësit e klasës së gjashtë në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Emin Duraku”, paralelja e ndarë në fshatin Davidoc e kanë bojkotuar procesin mësimor. Kjo për shkak se ditë më parë një nxënës (S.S) i kësaj klase ishte shfaqur në rrjetet sociale duke e keqtrajtuar dhe rrahur shokun e tij të klasës dhe ndërkohë duke e hedhur në kontejnerë të mbeturinave.

Shpeshherë ky nxënës, “Problematik” ua kishte marrë edhe paratë shokëve të klasës duke i kërcënuar një nga një që mos të tregojnë në shtëpi.

Kjo çështje ka nxitur reagimin e prindërve por edhe të drejtuesve të shkollës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë shkollë Enver Dugolli me një shkresë i është drejtuar edhe autoriteteve komunale për ta njoftuar pikërisht drejtoreshën e DKA-së , Yllka Fejzullahun, rreth zhvillimeve të fundit.

“Ju njoftojmë se prindërit e nxënësve të klasës së gjashtë në paralelen në Davidoc kanë shprehur shqetësime. Ata kanë theksuar se më 24.01.2025 nuk do t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë. Arsyeja e kësaj është prezenca e nxënësit S.S për të cilin ata kanë paraqitur shqetësime. Gjithashtu, ata kanë njoftuar se do të jenë të pranishëm edhe në Komunë për të diskutuar këtë çështje”, thuhet në shkresën e drejtorit Dugolli, të cilën e ka siguruar Telegrafi nga burimet e veta.

Në këtë dokument është publikuar edhe identiteti i nxënësit  “Problematik”.

Ndërkohë me rastin po merret edhe Policia e Kosovës në Shtime dhe Qendra për Punë Sociale.

Telegrafi, gjatë së premtes disa herë ka bërë përpjekje të marrë një deklaratë nga drejtori i kësaj shkolle Enver Dugolli, por ai nuk ka qenë i qasshëm. E pa qasshme ka qenë edhe drejtoresha e DKA-së në Shtime Yllka Fejzullahu./Telegrafi/

Exit mobile version