Sot, misioni italian i KFOR-it realizoi një sesion ndërgjegjësues mbi temën e mjeteve të pashpërthyera, ku ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti për Kosovën, një vend që ka dalë nga një konflikt i dhunshëm.
Sipas tij, qëllimi i kësaj fushate është të edukojë dhe informojë, për të zvogëluar çdo rrezik të mundshëm, duke kultivuar një kulturë sigurie për identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve nga mjetet e pashpërthyera.
“Është thelbësore që brezat e rinj, të cilëve u mungon përvoja e drejtpërdrejtë në konflikte, të kuptojnë rëndësinë e kësaj historie sfiduese”, ka thënë ambasadori De Riu.
Ndërkohë, kolonel Rocco Mundo, komandanti i KFOR-it në Pejë, e vlerësoi aktivitetin e sotëm si një mundësi për nxënësit të mësojnë diçka të re. Ai theksoi rëndësinë e kësaj fushate për të rritur ndërgjegjësimin mbi rreziqet që vijnë nga mjetet e tilla.
Komuna e Pejës, përmes rrjetit social Facebook, bëri të ditur organizimin dhe rëndësinë e këtij aktiviteti duke e shoqëruar edhe me disa fotografi.
I pranishëm ishte edhe Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, i cili e falënderoi Komandantin e KFOR-it, Kolonel Rocco Mundo, që ka marrë inciativën për takimin e ditës së sotme për fushatën sensibilizuese për sigurinë në shkolla.