Nxënësit e Shkollës së Mesme të Ulët “Gani Saramati” kanë shënuar festën e flamurit përmes lojës së basketbollit, ku pjesë e ekipeve kanë qenë edhe nxënësit me aftësi të kufizuara.
Në këtë aktivitet, ku rezultati ka qenë në plan të dytë, është vënë në pah rëndësia e gjithpërfshirjes në procesin edukativo-arsimor, me përqendrim në lëndën e edukatës fizike, raporton Telegrafi.
Mësimdhënësi i kësaj lënde në ShMU “Gani Saramati”, Alban Shala ka shpjeguar se puna me këta fëmijë realizohet në baza javore, duke i dhënë hapësirë edhe fëmijëve me aftësi të kufizuara që të përfshihen në aktivitete sportive.
“Në vazhdën e punës sonë me nxënësit dhe në përputhje me programin edukativ gjithëpërfshirës kemi organizuar këtë aktivitet të veçantë për të shënuar 28 nëntorin në mënyrë festive. Në këtë aktivitet janë përfshirë edhe nxënësit me aftësi të kufizuara duke shpalosur talentin e tyre në basketboll, me ç’rast kanë dëshmuar orientimin dhe koordinimin e duhur në ekip”, ka thënë Shala.
Në të njëjtën kohë ai ka bërë thirrje që edhe shkollat tjera ti bashkohen kësaj nisme, me qëllim të realizimit të një turneu simbolik.
“I bëj thirrje edhe institucioneve tjera edukativo arsimore që të realizojmë një garë të përbashkët, për të shënuar ditët e rëndësishme sikurse që është përvjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ashtu që me një turne simbolik edhe fëmijët me aftësi të kufizuara të argëtohen dhe të shijojnë lojën e basketbollit apo aktivitetet tjera sportive”, ka deklaruar Shala.
Në fund të këtij aktiviteti të veçantë janë shpërndarë edhe medaljet për nxënësit pjesëmarrës. /Telegrafi/