Trajneri spanjoll Xabi Alonso po e udhëheq në mënyrë të shkëlqyer Bayer Leverkusen këtë sezon, ku edhe titulli i kampionit duket një mundësi reale.
Puna e trajnerit ka rënë në sy të shumë klubeve, me Bayern Munich dhe Liverpool, që e duan për vitin e ardhshëm, pasi do të mbesin pa trajner. Jurgen Klopp dhe Thomas Tuchel kanë njoftuar largimet e tyre nga klubet respektive.
Por drejtori sportiv i Bayer Leverkusenit, Simon Rolfes, ka thënë se Xabi Alonso me siguri do të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm.
Alonso ka kontratë deri në verën e vitit 2026, dhe këtë sezon ai po kërkon tre trofe të mëdhenj. Ai mund të fitojë kampionatin gjerman, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Evropës.
“Jam i sigurt se Xabi do të qëndrojë. Ai është i lidhur me kontratë dhe ndihet mirë me ne. Ai ka një ekip shumë të mirë me perspektivë për sezonin e ardhshëm. Secili tani ka rolin e tij në klub dhe cilësinë për ta luajtur. Ne nuk varemi nga një sistem, ai përshtatet me lojtarët që janë në dispozicion”, ka thënë Rolfes për Sport1.
Nëse Xabi Alonso nuk është i disponueshëm, Liverpool do të lëvizë për të sjellë Roberto de Zerbi, Thomas Frank ose Ruben Amorim.
Disa media britanike shkruajnë gjithashtu se edhe Rolfes mund të ndryshojë mjedis dhe të shkojë në Liverpool së bashku me Alonson. /Telegrafi/