Pas fitores ndaj Napolit dhe Torinos, Roma ka vazhduar me fitore në Serie A, këtë herë ndaj Crotones me rezultat 0-2.
Klubi nga kryeqyteti italian ishte dukshëm më i mirë dhe ishte një fitore e lehtë për romakët.
Shansin e parë të mirë për gol e kishte Radja Nainggolan në minutën e 12-të, ndërsa vendasit kundërpërgjigjën në minutën e 34-të me anë të Adrian Stoian.
Por, për golin e parë në ndeshje u desh të pritej deri në minutën e 39-të, autor i të cilit ishte Stephan El Shaarawy.
Në minutën e 51-të Edin Dzeko kishte rast të mirë, pesë minuta më vonë edhe vendasit rrezikuan me anë të Marcello Trottas, por Alisson nuk lejoi që të tundet rrjeta e tij.
Goli i qetësisë u Nainggolan në minutën e 75-të dhe me rezultatin 0-2 përfundoi gjithçka.
Pas kësaj fitore Roma vazhdon në vendin e tretë me 59 pikë (një ndeshje dhe katër pikë më shumë se Interi), kurse Crotone në pozitën e 18-të me 24 pikë.
Ndeshja e ardhshme e skuadrës së Eusebio Di Francescos është kundër Bolognas, kurse Crotone do të jetë mysafir i Fiorentinas. /Telegrafi/