E mrekullueshme ajo që ka bërë skuadra shqiptare, Skënderbeu nga Korça.
Ish-kampionët e Shqipërisë kanë barazuar pa gola në shtëpi 0-0 ndaj Dinamo Zagreb dhe falë barazimit në ndeshjen e parë 1-1 në Kroaci kanë arritur kualifikimin historik.
Kësisoj djelmoshat e Ilir Dajës do të jenë përsëri klubi i vetëm shqiptarë në grupet e një gare evropiane pas suksesit në vitin 2014.
Ndeshja nisi më mirë për mysafirët të cilët vetëm pas katër minutave lojë shënuan gol, por që për fat të mirë u anulua nga gjyqtari pasi lojtarët e Dinamos shkaktuan faull në sulm.
Dy minuta më vonë, Liridon Latifi tentoi me një goditje të fuqishme ta mposhtë portierin mysafir por i cili intervenoi me sukses dhe shpëtoi portën.
Disa minuta para fundit të ndeshjes, mbrojtësi kroat i Skënderbeut, Marko Radas rrezikoi por pa arritur të gjejë golin.
Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e parë të ndeshjes.
Edhe në pjesën e dytë mysafirët me ngulm kërkonin golin e epërsisë por edhe njëherë portieri Orges Shehu shpëtoi portën duke intervenuar me sukses pas goditjes nga Omo.
Pasi kaluan një orë lojë, sulmuesi afrikan i Skënderbeut Sowe tentoi me një goditje të fuqishme por pa arritur cakin.
Mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani që luan për Dinamon e Zagrebit u vërshëllye gjatë gjithë kohës nga tifozët pasi kishte deklaruar më parë se do t’i shënonin shumë gola Skënderbeut në Shqipëri.
12 minuta para fundit të ndeshjes, mesfushori nga Mali i Skënderbeut, Bakary Nimaga u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë duke lënë skuadrën e tij me 10 futbollistë në fushë.
Deri në fund të ndeshjes, Dinamo tentonte me çdo kusht shënimin e golit por një gjëje të tillë nuk ia arriti falë mbrojtjes fantastike të shqiptarëve.
Kësisoj pas 95 minutave, ndeshja përfundoi me rezultat të bardhë 0-0, dhe falë golit të shënuar në udhëtim, ish-kampionët e Shqipërisë arritën të kalojnë tutje për tu futur në grupet e Ligës së Evropës.
Këtë sukses Skënderbeu e kishte arritur edhe dy vite më parë, ndërsa tani bardh e kuqtë synojnë të marrin sa më shumë pikë në grupet e Ligës së Evropës. /Telegrafi/