Site icon Telegrafi

Nuk kalon rezoluta e propozuar nga partitë opozitare për vendimin e ZRrE-së

Në mungesë të kuorumit, votimi i rezolutës së propozuar nga tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK për vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritje të çmimit të energjisë është lënë për ndonjë seancë të radhës.

Në votim morën pjesë vetëm 30 deputetë.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri prezantoi gjashtë pikat që përbënin këtë rezolutë.

Si pika kryesore ishin që vendimi i ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë të anulohet menjëherë, dhe Kuvendi i Kosovës të iniciojë shkarkimin e Bordit të ZRrE-së për mungesë profesionalizmi.

“Vendimi i ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë të anulohet menjëherë, Kuvendi i Kosovës të iniciojë shkarkimin e Bordit të ZRrE-së për mungesë profesionalizmi. Qeveria të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike linearisht për gjithë qytetarët dhe bizneset, Qeveria të heq TVSH-në për energjinë elektrike deri në përfundim të krizën energjike, Qeveria të angazhohet për themelimin e fondit për konsumatorët në nevojë ashtu siç e obligon Ligji për energji. Të nisin konsultimet për tarifat e reja që duhet të jenë pjesë e strategjisë afatgjate të energjisë ndërtimit të kapaciteteve dhe stabilitetit të furnizimit”, tha ai.

Tahiri u shpreh se diferencimi i konsumatorëve përmes subvencioneve është shkelje e të drejtave të njeriut dhe jashtë frymës kushtetuese.

“AAK, PDK, LDK i propozojnë Kuvendit të Kosovës miratimin e kësaj rezolute. Në një situatë të rënduar socio-ekonomike si dhe ndikimi zinxhiror i krizave qoftë shëndetësore apo ekonomike, shtrenjtimi i energjisë elektrike është i papërballueshëm për shumicën e familjeve në vendin tonë. Diferencimi i konsumatorëve përmes subvencioneve të Qeverisë është më së paku shkelje e të drejtave të njeriut dhe jashtë frymës kushtetuese. Për më tepër ky vendim është i paanalizuar qartë dhe nuk merr në konsideratë faktorët realë, gjendjen socio-ekonomike në vend”, u shpreh ai.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike dje ka miratuar tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët, ndërsa vendimi nga sot ka hyrë në fuqi dhe vlen deri në mars të vitit 2023.

Ata të cilët shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kilovatë orë në muaj nuk do të preken nga shtrenjtimi i energjisë elektrike.

Ndërsa ata që konsumojnë mbi 800kWh është tarifa e lartë prej 12,5 cent dhe tarifa e ulët 6,75 cent.

Exit mobile version