Hulumtuesit theksojnë se radhitja e bërjes së ushtrimeve të caktuara është një çështje e zgjedhjes personale dhe se kjo nuk ndikon në rezultatet afatgjatë.
Studimi përfshiu 34 meshkuj të moshës 18-40 vjet. Ata u ndanë në dy grupe të cilat ushtruan në një periudhë prej 24 javësh, 2 deri 3 herë në javë.
Njëri grup së pari i bëri ushtrimet e forcës, dhe më pas ushtrimet aerobike, ndërsa grupi tjetër e kishte një radhitje të kundërt të kryerjes së ushtrimeve. Të dy grupet i kryen ushtrimet brenda një periudhe të barabartë kohore.
Në fund të studimit, rezultatet treguan se të gjithë pjesëmarrësit e përmirësuan kondicionin fizik dhe rritën përqindjen e masës muskulore, pavarësisht renditjes së kryerjes së ushtrimeve.
Dallimi kryesor në mes të ushtrimeve të forcës dhe ushtrimeve aerobike është se ushtrimet e forcës e rrisin masën muskulore, gjë që rezulton në rritjen e djegies së kalorive në gjendje të qetë.
Ushtrimet aerobike e përshpejtojnë djegien e kalorive dhe zvogëlimin e përqindjes së yndyrës në trup, por gjithashtu e rrisin performancën fizike dhe në mënyrë të konsiderueshme e përmirësojnë funksionimin e sistemit kardiovaskular. /Telegrafi/