Telegrafi

“Nuk ka drejtësi as mëshirë nga Vuçiqi për serbët nga Kosova”: I zgjatet paraburgimi bashkëshortit të kandidates për asambliste të Leposaviqit

Serbi nga Kosova, Dragan Nikoliq, do të mbahet edhe për 30 ditë në paraburgim në Beograd.

Kështu ka bërë të ditur avokati i tij Ivan Niniq, sipas të cilit, Dragan Nikoliq, nga Leposaviqi, edhe 30 ditë do të qëndrojë në paraburgim në Burgun Qendror në Beograd, përcjell Telegrafi.

Ai është arrestuar nën akuzën e “komplotit kundër rendit kushtetues dhe thirrjes për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë”.

“Nuk ka drejtësi as mëshirë nga Vuçiqi për serbët nga Kosova”, ka shkruar fillimisht avokati.

“Dragan Nikoliq, nga Leposaviqi, edhe 30 ditë qëndron në paraburgim në Burgun Qendror në Beograd, nën akuzën e komplotit kundër rendit kushtetues dhe thirrjes për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Serbisë!”, ka shkruar ai në Twitter.

Siç kujton avokati, bashkë me të, në burg po mbahen edhe tre serbë të tjerë.

Ndryshe, Ivan Niniq kishte thënë se më 10 prill klienti i tij nga vendkalimi në Jarinje është dërguar në Shërbimin për Parandalimin e Terrorizmit nga dy persona të maskuar.

Pas marrjes në pyetje, ai është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, e cila ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Lexo po ashtu Cilët serbë nga Kosova po i arreston Serbia?

Kujtojmë se bashkëshortja e tij, Ivana Nikoliq kishte thënë se arrestimi i bashkëshortit të saj është “kulmi i padrejtësisë” që iu bë, pasi që shtëpia e tyre u dogj shtatorin e kaluar “për shkak se e kishin riregjistruar veturën me targa RKS (Republika e Kosovës)”.

Ajo kishte përmendur përfshirjen e saj politike në Partinë opozitare të Serbëve të Kosovës (PKS) si “motiv për “persekutimin e familjes së saj”.

Ajo ishte në listën e kësaj partie për asambliste në Kuvendin e Komunës së Leposaviqit në zgjedhjet lokale të Kosovës më 23 prill.

Megjithatë, lideri i PKS-së, Aleksandar Jabllanoviq, u tërhoq tri ditë para zgjedhjeve dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij që ta bojkotojnë procesin.

Këto zgjedhje u bojkotuan edhe nga Lista Serbe, për çka pati mbështetjen e Beogradit.

Dhe Ivana Nikoliq pretendonte kategorikisht se bashkëshorti i saj nuk ka asnjë lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij nga autoritetet serbe dhe se, sipas saj, bëhet fjalë për një “rast të fabrikuar”.

Ivana kishte potencuar se pavarësisht gjithçkaje, ajo nuk do të largohet nga Kosova. /Telegrafi/