Një qytetar me aftësi të kufizuara në Gjilan nuk arriti të ushtrojë të drejtën e tij për të votuar, pasi vendvotimi i tij ishte i vendosur në katin e dytë të qendrës së votimit.
Një familjar i tij konfirmoi për Telegrafin se për shkak të mungesës së informacionit, nuk e kishte regjistruar me kohë si person me aftësi të kufizuara, në mënyrë që ekipet lëvizëse të mund të shkonin në shtëpinë e tij për ta ndihmuar në procesin e votimit.
Pas disa minutash pritjeje, përgjegjësit e vendvotimit deklaruan për Telegrafin se nuk kishin të drejtë të sillnin fletën e votimit poshtë.
Për shkak të kësaj pengese, qytetari u detyrua të kthehej pa votuar, pasi qendra e votimit nuk ofroi një zgjidhje alternative, përveçse nëse familjarët e tij do ta ndihmonin të ngjitej në katin e dytë. /Telegrafi/