Hekuran Kryeziu është një nga futbollistët e parë që ka pranuar të luaj për Kosovën, para pranimit në UEFA dhe FIFA.
Mesfushori kamenicas ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Dardanët që tetë vite dhe ishte ndër vite një nga më të mirët.
Mirëpo ai tani është pa klub dhe nuk është ftuar nga përzgjedhësi Primoz Gliha për ndeshjet e muajit shtator.
Por dashuria e tij për Kosovën tregohet edhe kur nuk është në fushë, tregohet atëherë kur ai merr aeroplanin dhe fluturon drejt Prishtinës për t’i përkrahur nga afër shokët e tij.
Hekurani ka shkuar fillimisht në grumbullim të Kosovës duke i takuar nga afër shokët e Përfaqësueses dhe duke i uruar suksese.
Ai ishte i pranishëm edhe në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ dhe ka qenë një tifoz i flaktë i Përfaqësueses nga shkallët e stadiumit.
Dashuria dhe kontributi për Përfaqësuesen është edhe në këtë mënyrë, nuk ke mundësi t’i ndihmosh në fushë, por gjesti i Hekuranit është për t’u duartrokitur pasi erdhi nga Zvicra për t’i përkrahur Dardanët.
30-vjeçari ka zhvilluar rreth 30 paraqitje me Kosovën ku ka bartur edhe shiritinn e kapitenit te Dardanët.
Ai është në negociata me disa skuadra dhe së shpejti mund të bëhet me skuadër të re, pasi Kosovës i nevojitet shumë Kryeziu në mesfushë. /Telegrafi/