Mbi 19 mijë persona kanë aplikuar në konkursin e fundit të shpallur nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për 100 vende pune.
Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli ka mohuar të jetë anuluar konkursi, siç është raportuar në media.
Ai ka thënë për KosovaPress se janë duke bërë evidentimin dhe shqyrtimin e aplikacioneve të shumta të pranuara.
“Konkursi është mbyllur në fund të javës, më 14 dhjetor 2018. Në këtë moment jemi duke bërë evidentimin dhe shqyrtimin preliminar të të gjitha aplikacioneve të pranuara, numri i të cilave është shumë i madh. Në ditët ne vijim do të vazhdojmë me hapat që parashihen, duke respektuar me përpikëri Rregulloret e brendshme, Udhëzimet Administrative dhe Ligjin e Punës”, ka thënë Bucolli.
Ndërsa, nënkryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica ka thënë se do të ishte shkelje ligjore nëse anulohet ky konkurs.
“Konkursi për mbi 100 vende të lira të punës, kanë konkurruar mbi 19 mijë persona. Faktikisht ne konsiderojmë që duhet me u proceduar dhe me u vazhduar ky proces, pavarësisht numrit të madh të atyre që kanë aplikuar, ngase kanë të drejtë ligjore të gjithë ata që kanë kërkuar punë në konkursin shpallur nga ana e KEK-ut”, thotë Llumnica për KosovaPress.
Ai ka shtuar se në këtë konkurs nuk është evidentuar deri më tash që ka pasur parregullsi.
“Për aq sa kam vërejtur unë. Nuk besoj që ka diçka të parregullt, mirëpo konkurrenca është madhe për shkak të papunësisë në nivel vendi. Dhe kjo mund të jetë arsyeja që kanë aplikuar kaq shumë. Për faktin se të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtat e barabarta, atëherë sipas meje nuk është mirë të anulohet ky konkurs, duke marrë parasysh edhe kohën sa ka me marr ky proces”, thotë ai.