Telegrafi

“N’odën e Malsisë së Gjakovës”, mbahet festivali që ruan traditat dhe kulturën e trevave të ndryshme

Nën organizimin e Komunës së Gjakovës, përkatësisht Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit së Gjakovës është zhvilluar edicioni i shtatë i festivalit “N’odën e Malsisë së Gjakovës”.

Ky festival që tashmë është bërë një traditë në qytetin e Gjakovës ka për qëllim ruajtjen e traditave dhe kulturën e trevave të ndryshme, mbrojtjen dhe zhvillimin e zakoneve dhe kulturës të etnosit shqiptarë, si dhe hulumtimin dhe pasurimin e vlerave të folklorit etnografik, vlera këto që nuk i mungojnë popullit shqiptar.

Pjesëmarrës në edicionin e shtatë të këtij festivali ishin 8 grupe nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të cilët përmes performancave të arritën të shfaqin një pjesë të kulturës së tyre muzikore, e cila u mirëprit nga ata që shfaqën interesim për ta përcjellë festivalin mbarëkombëtar ”N’odën e Malsisë së Gjakovës’.

Ndër të tjera theksojmë që ky festival edicionin e tij të parë e ka zhvilluar në vitin 2018, ku në atë kohë jeta kulturore në qytetin e Gjakovës ishte më e zbehtë. /Telegrafi/