Site icon Telegrafi

Njohja e aftësisë së kujtesës sonë

Nëse dikush iu pyet nëse e dini ditëlindjen e dikujt, nuk do t’iu duhet shumë kohë për të thënë se atë informacion nuk e keni depozituar në kujtesë. Po kështu mund të thoni me siguri se e keni shumë më të vështirë të mbani mend një listë me fjalë kineze, sesa një listë me fjalë në gjuhën tuaj.

Metakujtesa ka të bëjë me faktin sesa dinë njerëzit për sistemet e tyre të kujtesës dhe me sa saktësi munden ata të parashikojnë shkallën e vështirësisë së një detyre që lidhet me kujtesën, transmeton Telegrafi.

Teoritë e harresës

Ndonjëherë ne kujtojmë gjëra që na kanë ndodhur kur kemi qenë fëmijë, ndërsa herë të tjera harrojmë gjëra që na kanë ndodhur dje. A janë kujtimet të përhershme apo kanë prirjen të zbehen me kalimin e kohës? Dhe nëse kujtimet janë të përhershme, pse nuk mundemi të përdorim informacionin që na nevojitet atëherë kur duam?

Harresa ka të bëjë me humbjen e dukshme të kujtesës. Ka disa teori kryesore për harresën, si dekompozimi, interferenca dhe harresa e motivuar.

Prishja (dekompozimi) – Sipas teorisë tradicionale përshtypjet shqisore dhe njohuritë e fituara lënë gjurmë në kujtesë, të cilat me kalimin e kohës zbehen apo prishen për shkak të mospërdorimit.

Kjo është një teori praktike dhe besohet nga shumë njerëz. Por ka shumë pak dëshmi eksperimentale se kjo prishje ndodh me kujtimet tona. Ne dimë se kemi prirjen t’i harrojmë gjërat me kalimin e kohës, por jo të gjitha kujtimet zbehen.

Ne mund të kujtojmë sot ndonjë fakt që nuk mund të kujtonim dje. Prishja mund të ndodhë në kujtesën afatshkurtër, ku informacioni zhduket për 30’ nëse nuk përsëritet, por kjo nuk ndodh në kujtesën afatgjatë.

Interferenca (ndërhyrja) – Shumica e psikologëve sot besojnë se kur informacioni kodohet ashtu siç duhet dhe kur depozitohet, atëherë ai bëhet pak a shumë i përhershëm.

Arsyeja pse ne nuk mund ta riprodhojmë informacionin jo njëherë, por njëherë tjetër është për shkak të ndërhyrjes së informacioneve të tjera që kemi përvetësuar. Ndërhyrja mund të shkaktohet nga informacione të përvetësuara më parë (ndërhyrje proaktive) ose më pas (ndërhyrje retroaktive) informacionit për të cilin bëhet fjalë. Ndërsa dekompozimi është një problem depozitimi, ndërhyrja është një problem riprodhimi.

Në ndërhyrjen proaktive informacioni që ke mësuar më parë ndërhyn në riprodhimin e informacionit që është mësuar më vonë. P.sh: nëse dini frëngjisht dhe nisni të mësoni gjermanisht, ndoshta do ta keni të vështirë të mësoni fjalët e reja në spanjisht, sepse njohuritë në frëngjisht ndërhyjnë në të kujtuarit e fjalëve korresponduese gjermane.

Në ndërhyrjen retroaktive informacioni i sapomësuar ndërhyn në të kujtuarit e materialeve të mësuara më parë. Pasi të keni mësuar gjermanishten, derisa ta zotëroni pak a shumë mirë, e ndërkohë ta keni lënë 21 mënjanë frëngjishten, do të shihni se po të përpiqeni të thoni një shprehje në frëngjisht, do tu vijë më parë në mend përkthimi në gjermanisht.

Harresa e motivuar (represioni) – Ky është një term i përdorur nga psikologët frojdianë për procesin e të harruarit të diçkaje që na shkakton ankth.

Megjithatë represioni është një problem personaliteti që mund të çojë edhe në humbje kujtese. P.sh. ju harroni takimin tek dentisti duke u marrë me shumë gjëra të tjera, sepse tmerroheni nga mbushja e dhëmballës. /Telegrafi/

Exit mobile version