Telegrafi

Njohja dhe investimet

Dy personalitete të rëndësishme, diplomati amerikan Richard Hollbrooke dhe ministri britanik për zhvillim ndërkombëtar, Shahid Malik, në të njëjtën ditë e dhanë mesazhin e njëjtë për Kosovën. Derisa ministri britanik e tha hapur se Kosova ende nuk është e gatshme të presë investime, Hoolbrooke, duke e nënkuptuar këtë situatë, u bëri apel dhe i këshilloi drejtuesit institucionalë që gjithë energjinë ta përqendrojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Mund të thuhet se ata e dhanë këtë mesazh si apel parimor që diplomatët e kanë në “xhep” dhe e aplikojnë sa herë shkojnë në vendet me shkallë të ulët të zhvillimit, por nuk duhet lënë larg mendsh se që të dy ta kenë parë e përcjellë që asnjë qeveri e deritashme në vend nuk i kushtoi rëndësi zhvillimit ekonomik.

Për më tepër, me 3-4 strategji “hajgarellëqesh”, të hartuara për 2-3 ditë, mund të vlerësohet fare lehtë sesa seriozisht e kanë “kapur” zhvillimin ekonomik drejtuesit institucionalë. Rezultati i tyre është shumë i qartë – “rritja ekonomike”, që realisht do të duhej të shënonte progres, nga viti në vit është përshkuar nga një “teposhtëze”, që nga analistët shkallët e rënies janë vlerësuar jo shumë larg nga ato të viteve të 90-ta!

Shembulli më i mirë i ngecjes dhe i disbalancës ekonomike është punëtori. Edhe ata që e kanë fatin të zënë një vend pune, i kanë të ardhurat më të ulëta mujore në rajon dhe në të njëjtën kohë shpenzimet më të larta. Edhe politikat e tjera ekonomike janë në disproporcion dhe Kosova vetëm duhet të vrapojë pas zhvillimeve në vendet e rajonit. Edhe atëherë kur është menduar që po vihet një balancë, marrëveshje të pamenduara mirë kanë bërë që prodhuesi dhe ekonomia e vendit të jenë shkelur nga fqinjët.

Që Kosova të mos mbetet vendi me shkallën më të ulët të investimeve të huaja në Evropë, qeveritarët duhet të dalin nga zyrat dhe llogaritë e strategjitë t’i bëjnë nisur nga situata reale. Një punë e mirë e tyre dhe mosinfiltrimi në “dosjet e zeza” do të bënte që diplomatët t’i heqin nga fjalori i tyre, në çdo vizitë që i bëjnë Kosovës, deklaratat për mungesë sigurie, korrupsion e krim ekonomik dhe si rrjedhojë edhe investitorët, paratë e të cilëve janë shumë “frikacake”, nuk do të ngurronin të vinin në Kosovë.

Kjo do të arrihej me një sistem më të mirë të qeverisjes, ku transparenca dhe llogaridhënia do të ishin në nivelin e duhur dhe ku korrupsioni do të luftohej përtej formës deklarative.

Sigurisht, njohja ndërkombëtare është shumë e rëndësishme, por, krahas numërimit të vendeve që e kanë njohur Kosovën, nuk duhet harruar të shihen edhe shifrat e investimeve direkte, të cilat që nga paslufta nuk kanë mundur t’i kalojnë kufijtë e 50 milionë eurove!?

(Autori është redaktor i rubrikës “Ekopolitikë” në gazetën “Lajm”)