Site icon Telegrafi

Njihuni me Ostersundsin, skuadra nga një qytezë malore e Suedisë që bëri mrekulli në Evropë dhe synon ta eliminojë Arsenalin nga Liga e Evropës

Si vend malor në Suedi, më shumë është njohur për garat e sporteve të borës që ka organizuar që disa dekada me radhë.

Por tani pas 12 ndeshjeve në Evropë fshati i quajtur Ostersunds do të mbahet mend edhe për futboll.

Skuadra me po të njëjtin emër si qyteza, ka bërë mrekulli në Ligën e Evropës, gara e dytë më e rëndësishme për klube pas Ligës së Kampionëve.

Fitimi i Kupës së Suedisë në edicionin që lamë pas bëri që Ostersunds të marrë pjesë në kualifikimet për Ligën e Evropës.

Si u formua skuadra 21 vite më parë?

Ostersunds është krijuar 21 vite më parë, apo saktësisht më 31 tetor të vitit 1996.

Për tu formuar skuadra e tanishme, ishin bashkuar tri skuadra OPE IF, Torvalla FF dhe IFK Ostersunds.

Qëllimi i bashkimit të tri skuadrave ishte i thjeshtë, që një ditë të arrijnë të luajnë në kampionatin elitar të Suedisë ose minimalishtë në Ligën e parë.

E qëllimi u arrit në vitin 2013 kur për herë të parë në histori të klubit u futën në Superettan (Liga e Parë suedeze), duke qëndruar për tri sezone.

Ostersunds FK

Viti 2016 ishte historik për klubin, pasi arritën qëllimin madhor të futën në Allsvenskan (Elita e futbollit suedez).

Ostersunds është një qytezë malore në Suedi që ka vetëm 49 mijë banorë dhe njihet si vend i qetë.

Qyteza simpatike kufizohet me qytetet e mëdha si Sundsvall dhe Umea ndërsa është mbi 500 kilometra larg kryeqytetit Stokholm.

Trajneri dhe lojtarët

Në krye të skuadrës së Ostersunds është trajneri anglez, 42-vjeçari Graham Potter. Si futbollistë ai nuk ka luajtur për ndonjërën nga skuadrat e mëdha angleze, përveç Stoke City dhe Southampton nga elita e futbollit anglez dhe në disa skuadra të rangjeve më të ulëta.

Si trajner, Potter nuk ka drejtuar asnjëherë më parë ndonjë skuadër dhe e para është Ostersunds kur e mori drejtimin e skuadrës në vitin 2011.

Klubi nuk ka ndonjë yll të madh dhe forca kryesore është grupi i bashkuar.

Trajneri Graham Potter dhe golashënuesi kryesor i klubit, Saman Ghoddos

Gjithsesi shumica e lojtarëve janë të ardhur në Suedi nga vendet afrikane që kanë edhe nënshtetësi suedeze.

E padyshim lojtari kryesor është sulmuesi 24-vjeçar Saman Ghoddos, i cili ka shënuar tetë gola në kampionatin e kaluar suedez dhe dy herë në Ligën e Evropës.

Kualifikimet për në Grupe

Që në raundin e parë, klubi simpatik suedez bëri një mrekulli duke eliminuar gjigantin turk Galatasaray me rezultat të përgjithshëm 3-1 pas dy ndeshjeve.

Në raundin e dytë, Ostersunds kishte fat pasi u takua me skuadrën amatore Fola nga Luksemburgu dhe edhe këtë e eliminoi me rezultat të përgjithshëm 3-1 pas dy ndeshjeve.

Festa e futbollistëve pas një goli të shënuar ndaj Galatasaray

Radha ishte për një tjetër gjigant të një shteti tjetër, PAOK-un e Selanikit.

E fati ishte në radhët e klubit suedez, pasi shënuan një gol nga penalltia dhe pësuan humbje 3-1 në ndeshjen e parë, ndërsa në të dytën realizuan fitore të madhe 2-0 për të kaluar tutje falë golit të shënuar si mysafirë dhe arritën ëndrrën ta bëjnë realitet të futën në grupet e Ligës së Evropës.

Një gjë të tillë me shumë vështirësi gjithmonë e kanë arritur edhe skuadrat më të mëdha suedeze si Malmo, Kalmar, Helsingborg apo Djurgarden, por Ostersunds me fat dhe përkushtim të madh befasoi gjithë Evropën.

Grupet e Ligës së Evropës

U mendua se Ostersunds do të jetë kafshatë e lehtë për skuadrën ukrainase Zorya, atë spanjolle Athletic Bilbao dhe atë gjermane Hertha Berlin në Grupin J të Ligës së Evropës.

Por kështu nuk ndodhi, pasi qysh në ndeshjen e parë suedezët treguan dhëmbët duke marrë një fitore të madhe 0-2 në udhëtim te Zorya.

Lojtarët duke festuar njërin gol ndaj Zoryas në fitoren e parë në grupet e Ligës së Evropës

Në ndeshjen e radhës mposhtën Herthën minimalisht 1-0, ndërsa në të tretën barazuan 2-2 me Bilbaon.

Kësisoj pas gjashtë ndeshjeve në Grupe, Ostersunds kaloi tutje si e dyta në grup me 11 pikë sa kishte edhe Athletic Bilbao në pozitën e parë.

Futbollistët festuan gjatë kualifikimin nga grupet në mesin e 32 skuadrave më të mira në Ligën e Evropës

Shorti i vështirë, do të takohen me Arsenalin !

Krerët e Ostersundsit udhëtuan drejt Nyonit të Zvicrës për ta kuptuar kundërshtarin e radhës në Evropë.

Të gjithë në Suedi shpresonin që klubi i tyre të kishin përsëri fat dhe të takoheshin me ndonjë kundërshtar më të lehtë.

Por kështu nuk ndodhi, pasi shorti deshi që befasia më e madhe në Evropë të përballet me një gjigant të futbollit në kontinentin e vjetër.

Klubi që ngjyrat tradicionale i ka të kuqe dhe të zezë, do të ndeshet me gjigantin anglez Arsenal në fazën e 1/16-tës së finales në Ligën e Evropës.

E kërkuan njërën mes Milanit dhe Arsenalit

Presidenti i klubit simpatik suedez, Daniel Kindberg ka deklaruar se qëllimi i tyre ishte të takohen me njërën nga dy skuadrat më të mëdha në këtë garë, Milanin ose Arsenalin.

Pasi kanë bërë mrekulli në Evropë, radha është që fshatin simpatik suedez ta vizitoj një skuadër e madhe angleze siç është Arsenal.

“Kam pasur ëndërr që të ndesheshim me njërën mes Milanit dhe Arsenalit. Tani do të jetë një festë e futbollit në shkurt të vitit të ardhshëm në Ostersunds”, deklaroi Kindberg.

Presidenti i klubit, Daniel Kindberg beson se skuadra e tij do ta befasojë edhe Arsenalin

Por synimi i skuadrës suedeze nuk është të luajnë vetëm sa për sy e faqe me Arsenalin, pasi do të tentojnë t’i eliminojnë.

Presidenti Kindberg ka thënë se ka të njëjtat ndjenja si me Gallatasarayn, ndërsa ftohti i muajit shkurt në Suedi i shkon për shtati skuadrës së tij.

“Do të jetë një ditë e ftohtë në Ostersunds dhe natyrisht që neve na shkon për shtat. Rezultati i ndeshjes së parë në shtëpi do të jetë vendimtar. Kam të njëjtën ndjenjë si kundër Galatasaray”, u shpreh Kindberg.

A do t’i lejohet zhvillimi i ndeshjes në ‘Jamtkraft Arena’?

Si skuadër e vogël në Suedi dhe me shumë pak banor, stadiumi i Ostersunds nuk ka shumë ulëse.

‘Jamtkraft Arena’, është ndërtuar nga komuna e Ostersunds dhe është hapur më 13 korrik të vitit 2007.

Kapacitet i këtij stadiumi është vetëm 8,466 ulëse që është shumë pak për një klub që luan në gara evropiane.

Por shtëpia më e madhe e futbollit në Evropë, UEFA e ka lejuar skuadrën suedeze t’i zhvillojë të gjitha ndeshjet evropiane në këtë stadium.

Stadiumi i Ostersunds ‘Jamtkraft Arena’, ma kapacitet prej 8466 ulëseve

Edhe ndeshja ndaj Arsenalit sipas presidentit të klubit do të zhvillohet në ‘Jamtkraft Arena’.

“Do të luhet në Ostersunds, kjo është e gjitha. Çdo mundësi tjetër është e përjashtuar”.

“Aktualisht do të duhet të përmirësojmë zonën e medieve dhe gjithçka do të jetë në rregullë”.

“Kam biseduar sot (e hënë) me zyrtarët e UEFA-s në Nyon dhe më kanë premtuar se do të na ndihmojnë për rregullimin e stadiumit për muajin shkurt”, ka përfunduar presidenti Kindberg.

Në 12 ndeshjet evropiane, Ostersunds ka marrë shtatë fitore, tri barazime dhe ka pësuar vetëm dy humbje.

Ostersunds ka zhvilluar gjashtë ndeshje në stadiumin ‘Jamtkraft Arena’, ku ka bilanc pozitiv me pesë fitore dhe vetëm një barazim.

Në letër duket përballje e lehtë për Arsenalin, por në qytezën suedeze vazhdojnë të ëndërrojnë për një tjetër befasi të radhës. /Telegrafi/

Exit mobile version