Site icon Telegrafi

Njeriu që bën dallimin

Ajo konsiderohet si ndeshja me më pak interes për ditën e sotme të Evropianit, por kur çon nëpër mend që njëri prej atyre që do të zbresë në fushë është Zlatan Ibrahimovic, rëndësia merr të tjera nivele. “Do të jetë një ndeshje emocionuese”, ka thënë O’Neill, trajner i Republikës së Irlandës, në prag të sfidës së parë ndaj Suedisë së “stampuar” “Made in Ibra”.

Të dy ekipet janë në nivele thuajse të barabarta, me përjashtimin e të magjishmit suedez, me shërbimet e të cilit Erik Hamren duket se ka një armë më shumë përballë irlandezëve, të cilët nuk e kanë mposhtur kurrë Suedinë në një ndeshje zyrtare. “E respektojmë Irlandën, por shohim vetëm përpara”, thotë Hamren, të cilit i vijnë në mendje fitorja dhe barazimi ndaj të njëjtit kundërshtar në kualifikueset e Botërorit të 2014-s.

Sa u përket formacioneve me të cilat do të zbresin në fushë dy kundërshtarët, në sfidën e orës 18:00 të kësaj të hëne, Irlanda pritet të aktivizojë Randolph në portë; Coleman, O’Shea, Keogh, Brady në mbrojtje; Whelan, McCarthy, Hendrick, Hoolahan në mesfushë dhe Walters e Long në sulm. Ndërsa Suedia pritet të kundërpërgjigjet po me skemën klasike 4-4-2, ku partner i Ibras do të jetë Berg. Në portë do të luajë Isaksson; në mbrojtje Lustig, Johansson, Granqvist, Olsson; kurse në mesfushë priten Larsson, Lewicki, Kallstrom e Forsberg.

“Kompeticioni ka nisur, edhe për ne nis sot. Kemi parë ndeshje të bukura dhe mezi presim të shfaqim edhe ne lojën tonë. Kemi disa lojtarë të talentuar, të cilët mund të ndryshojnë kursin e një ndeshjeje nga momenti në moment. Duke qenë kokëfortë dhe të vështirë për t’u thyer, me sadopak talent për të krijuar diçka në repartin e avancuar, atëherë me siguri do ta kesh një rast të mirë. Shpresoj që lojtarët e mi të bëjnë maksimumin në këtë kompeticion”, tha O’Neill i Irlandës.

Ndërsa tekniku suedez, shprehet me respekt për Irlandën, por duket se nuk lëshon aspak pè.

“Jemi përgatitur mirë, në Suedi por edhe këtu në Francë. Irlanda ka luajtur një lojë të përqendruar te mbajtja e topit në 4 takimet e fundit, ndërkohë që në të kaluarën ka pasur më shumë stil britanik në lojën e tyre. Të shohim sesi do të luajnë nesër, por ne jemi të përgatitur për të dyja stilet e lojës. Gjëja më e rëndësishme është të fitosh ndeshjen dhe ne mund t’ia dalim. Kush do t’i shënojë golat nuk më intereson, do të isha njësoj i kënaqur nëse Ibrahimovic do të jepte asiste për të tjerët, po aq sa edhe nëse do të shënonte vet”, thotë Hamren.

Në kualifikueset e Botërorit të kaluar, Suedia dhe Irlanda ishin në të njëjtin grup. Në Dublin, suedezët përmbysën rezultatin, ndërsa në Solna kishin barazuar më herët pa gola, por asnjëra nuk u kualifikua për në Brazil. /TCH/

Exit mobile version