Njeriu më i pasur në Britaninë e Madhe, Jim Ratcliffe, ka konfirmuar se kanë filluar negociatat për blerjen e një prej klubeve më të mëdha të futbollit në botë, Manchester United.
Miliarderi, i cili është kreu i kompanisë kimike Ineos, planifikon të blejë Manchester United nga familja amerikane Glazer, e cila prej 17 vitesh është në krye të klubit nga Old Trafford dhe po përballet me kritika të mëdha nga tifozët.
Tifozët e United prej vitesh organizojnë protesta kundër familjes Glazer dhe u kërkojnë ta shesin klubin, ndaj në disa raste kanë bojkotuar ndeshjet ku futeshin e më pas dilnin nga tribuna në një moment të caktuar.
Kjo duket se ka dhënë fryte. Kompania Ineos ka konfirmuar zyrtarisht negociatat me familjen Glazer për blerjen e një prej klubeve më të mëdha në botë, shkruan Sky Sports.
“Ne i jemi bashkuar zyrtarisht procesit”, ka thënë shkurt zëdhënësi i Ineos.
Meqë ra fjala, Ratcliffe ka qenë një tifoz i United që nga lindja, për të cilin ka folur prej dekadash. Është interesante se ai ishte ndër ofertuesit zyrtarë kur Roman Abramovich u urdhërua të shiste Chelsean, por oferta e Todd Boehly ishte më e lartë.
Why Sir Jim Ratcliffe wants to buy Manchester United as takeover interest confirmed#MUFC https://t.co/WSo17hxct5
— Man United News (@ManUtdMEN) January 17, 2023
Ratcliffe është zyrtarisht njeriu më i pasur në Britaninë e Madhe dhe pasuria e tij vlerësohet në 18.2 miliardë funte (20 miliardë euro)./Telegrafi/