Humbja e papritur e 17 jetëve në fshatin Badhal në rrethin Rajouri të Jammu dhe Kashmir i ka lënë 3000 banorët e tij të zhytur në pikëllim dhe në frikë për jetën e tyre.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, makthi filloi më 7 dhjetor 2024, kur Fazal Hussain, gruaja e tij dhe katër fëmijët e tyre u sëmurën pasi morën pjesë në një festë martese.
Familja kishte dhimbje të forta barku, të vjella dhe përgjumje.
Brenda pak ditësh, të gjithë, përveç gruas së Fazalit, kishin vdekur.
Fillimisht kishte dyshime se shkaku ishte helmimi nga ushqimi nga diçka që kishin ngrënë në dasmë, por ditën kur djali pesëvjeçar i Fazal vdiq, tragjedia goditi një tjetër familje Badhal, e cila nuk kishte marrë pjesë në festë.
“Fëmijët e mi kishin shkuar vetëm në shkollë”, thotë Mohammad Rafiq, baba i shtatë fëmijëve. “Dy prej tyre u sëmurën me temperaturë. U dhashë ilaçe dhe u dukën më mirë atë natë. Por njëri nga fëmijët e mi ndërroi jetë në shtëpi. Dy të tjerët u dërguan me urgjencë në spital, por njëri vdiq rrugës për në Jammu dhe tjetri vdiq gjashtë ditë më vonë në Chandigarh”.
Vuajtja e Rafiqit u shtua kur gruaja e tij, e cila kujdesej për fëmijët, gjithashtu u sëmur.
“Pavarësisht se e dinin që ajo kishte humbur tre fëmijë, mjekët nuk e morën seriozisht gjendjen e saj. Ajo mund të ishte shpëtuar, por unë e humba atë”.
Rafiq dhe fëmijët e tij të mbetur janë mes 200 personave të identifikuar se kanë qenë në kontakt me familjet e prekura dhe janë zhvendosur në dy qendra karantine në qytetin Rajouri, 37 milje (60 km) nga Badhal, por ai ka frikë për familjen e tij të mbetur.
“Po sikur t’u ndodhë diçka? Apo tek unë? Kush do të kujdeset për familjen time? Kjo sëmundje po shkatërron jetë. I gjithë fshati po jeton në frikë, i pasigurt se kush do të jetë i radhës”.
Një muaj pas humbjeve tronditëse të dy familjeve, kunati i Fazal, Muhamed Aslam, humbi gjashtë nga fëmijët e tij nga simptoma të ngjashme gjatë një jave.
Xhaxhai dhe halla e tij u përballen me të njëjtën sëmundje gjatë së njëjtës javë.
Vajza e Aslam, Yasmeen Kouser, vdiq më 19 janar – vdekja e fundit e regjistruar në fshat. Aslam është gjithashtu në karantinë në Rajouri.
Siç theksojnë mediat, më shumë se 100 teste të burimeve të mundshme të sëmundjes, duke përfshirë ushqimin dhe ujin, si dhe mostrat e gjakut, nuk kanë arritur të identifikojnë ndonjë infeksion viral ose bakterial.
Por testet zbuluan gjurmë të pesticideve dhe insekticideve në burimin e vetëm të ujit të fshatit, duke nxitur autoritetet të shpallin Badhal një zonë kontrolli më 18 janar, duke vendosur pika kontrolli në rrugët brenda dhe jashtë fshatit, dhe mbyllje të njerëzve në shtëpitë e tyre.
Mbledhjet publike dhe private u ndaluan gjithashtu, dhe ushqimi dhe uji i ambalazhuar po ofrohet nga autoritetet.
Këtë javë, Dr Amarjeet Singh Bhatia, drejtor i Kolegjit Mjekësor Qeveritar (GMC) Rajouri, tha se helmimi nga fosfori organik, i gjetur në mostrat e gjakut të marra nga i ndjeri, ka të ngjarë të ishte shkaku i 17 vdekjeve “mistere”.
Ndërkohë, më shumë se 200 mostra nga uji, ushqimi dhe sende të tilla si enët e kuzhinës janë dërguar në laboratorë të ndryshëm, për të testuar për kontaminim kimik, por janë ende në pritje të rezultateve. /Telegrafi/