Telegrafi

Një zjarr masiv përfshin një ndërtesë 33-katëshe në Korenë e Jugut – detajet dhe pamjet nga vendi i ngjarjes

Një ndërtesë apartamentesh 33-katëshe në qytetin e Koresë së Jugut, Ulsan, u përfshi nga flakët të premten herët pasi erërat e forta bënë që një zjarr të ngrihej nëpër kate të tjera.

Si pasojë, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, të paktën 88 persona po trajtohen për lëndime të lehta, sipas Ministrisë së Brendshme dhe Sigurisë së Koresë së Jugut.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse kishte vdekje apo lëndime serioze.

Disa media treguan pamjet e ndërtesës së përfshirë nga flakët dhe pllakat e betonit duke rënë në rrugë.

Qindra banorë u evakuuan nga ndërtesa shumëkatëshe në qytetin port të Koresë së Jugut, thanë autoritetet.

Ndërsa shkaku i zjarrit po hetohet, zjarri mendohet të ketë filluar midis katit të 8-të dhe të 12-të.

Erërat e forta ndihmuan në përhapjen e tij më tej dhe tanimë thuhet se është nën kontroll.

Ndryshe, Bregu juglindor i Koresë së Jugut është goditur nga erëra shumë të forta në gusht dhe shtator, me tajfunin Haishen që ka goditur edhe në Ulsan në fillim të shtatorit. /Telegrafi/