Site icon Telegrafi

Një zjarr i madh shpërthen në një hotel në Kamboxhia, humbin jetën 10 persona

Të paktën dhjetë persona kanë humbur jetën gjatë mbrëmjes së kaluar në një zjarr të madh që shpërtheu në një hotel përgjatë vijës kufitare mes Kamboxhias dhe Tajlandës, gjatë sezonit të festave të fundvitit.

Në zjarrin që shpërtheu rreth orës 23:30 në hotelin e kazinosë Grand Diamond City në qytetin perëndimor kamboxhian të Poipet, “dhjetëra njerëz humbën jetën dhe 30 u lënduan”, thuhet në një raport të policisë kamboxhiane, transmeton Telegrafi.

Pamjet tregojnë manovrën e rrezikshme të zjarrfikësve që përpiqen të nxjerrin njerëzit me vinç nga ballkoni dhe dritaret.

Zjarri përfshiu plotësisht objektin e hotelit me disa kate dhe kalimin mes dy objekteve. Të lënduarit u dërguan në një spital në provincën fqinje tajlandeze Sa Kae, tha një burim në Ministrinë e Jashtme të Tajlandës.

Zjarrfikësit tajlandez u mobilizuan gjithashtu, e një anëtar i ekipit të shpëtimit i tha AFP se zjarri u përhap shpejt për shkak të qilimave në dysheme.

Rreth 400 njerëz janë të punësuar në Hotelin Grand Diamond City, tha policia kamboxhiane. Në momentin kur shpërtheu zjarri, në objekt ndodheshin shtetas të huaj, shkruajnë gazetat vendase. Kujtojmë që qytetarëve të Kamboxhias, një nga vendet më të varfra të Azisë, u ndalohet të luajnë kumar në kazino.

Por në qytete përgjatë kufirit si Poipet, kazino të shumta kanë ‘lindur’, duke tërhequr klientelën tajlandeze. Kazinotë janë të ndaluara zyrtarisht në Tajlandë, kjo është arsyeja pse lojtarët kalojnë kufirin.

Muajt ​​e fundit në Azinë Juglindore, disa zjarre vdekjeprurëse kanë shpërthyer në klube nate, të cilat kryesisht nuk respektojnë rregullat e sigurisë.

Në gusht, një zjarr në një diskotekë pranë Pattaya, Tajlandë, ia mori jetën 26 personave, kryesisht të rinj që kishin shkuar për t’u argëtuar. Një muaj më herët, 32 persona humbën jetën në një zjarr në një bar karaoke në periferi të qytetit Ho Chi Minh, Vietnam. /Telegrafi/

 

Exit mobile version